– “Si e mohoni Allahun, kur (e dini se) ju ishit të vdekur, e Ai jua dha jetën” – Kjo është një pyetje retorike, që tregon një ndjenjë habie dhe qortimi njëkohësisht. Si është e mundur pra, që ju të mohoni Allahun, i Cili ju krijoi pasi nuk ekzistonit?! Ai ju dhuroi, gjithashtu, edhe një larmi të pafundme mirësish.
– “Pastaj, Ai ju bën të vdisni, e pastaj ju ringjall përsëri; e më pas (përfundimisht), tek Ai do të ktheheni.” – Më pas, në momentin kur afati juaj do të jetë plotësuar, Ai do ju sjellë vdekjen, për t’ju dhënë shpërblimin e veprave që kryet në këtë jetë, që në momentin kur hyni në varr. Pastaj, Ai do t’ju ringjallë në Ditën e Ringjalljes dhe të Grumbullimit të Madh, për t’u rikthyer sërish tek Ai dhe për ta marrë të plotë shpërblimin e veprave tuaja.
E pra, ju jeni (në të gjitha gjendjet) nën administrimin, përkujdesjen dhe mirësitë e Tij. Ju jeni të detyruar t`i nënshtroheni urdhrave dhe ligjit të Tij hyjnor, se pastaj do t`i nënshtroheni llogarisë dhe shpërblimit, sipas zbatimit të ligjit dhe urdhrave të Tij. Si është e mundur që, pas gjithë këtij informacioni, ju ta mohoni Atë? A nuk tregon kjo një injorancë të thellë dhe mendjelehtësi të pamatë? Kështu që, më e mira për ju është besimi te Zoti e devotshmëria ndaj Tij. Ju duhet të jeni të frikësuar prej ndëshkimit dhe të shpresoni fort shpërblimin e Tij.