– “Kur ata bëjnë diçka të shëmtuar, thonë: “Kështu i gjetëm prindërit tanë.” dhe “Allahu na urdhëroi për këtë.” – Allahu i Lartësuar përshkruan gjendjen e shëmtuar të idhujtarëve, të cilët kryejnë poshtërsi dhe, me paturpësi, shpifin duke thënë se është Allahu i Lartësuar Ai që i ka urdhëruar për to. Vetë fjala ‘el fâhishetu’ tregon gjynahe që janë shumë të ulta dhe të shëmtuara. I tillë ishte, për shembull, tavafi që bënin rreth Qabes, duke qenë të zhveshur lakuriq.
Kur kryenin të tilla poshtërsi, ata thoshin: “Kështu i gjetëm prindërit tanë” dhe “Allahu na urdhëroi për to.” Ata thoshin të vërtetën, për sa i përket pjesës së parë, domethënë, që ashtu i gjetën të parët e tyre, por gënjenin për pjesën e dytë, që ishte Allahu që i urdhëroi për këto poshtërsi. Prandaj Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke thënë:
– “Thuaj: “Jo. Allahu nuk urdhëron kurrë për turpësi.“ – Allahu i Lartësuar është i Plotë, pa të meta dhe absolutisht i Urtë që të mund t’i urdhërojë njerëzit për të bërë poshtërsi, të çfarëdo lloji qofshin. Ky pretendim është tërësisht një shpifje dhe padrejtësi. I Lartësuari thotë më pas:
– “A po thoni për Allahun gjëra që nuk i dini?!” – E ku ka shpifje më të madhe se kjo?! Të flasësh rreth Allahut pa dije është nga padrejtësitë më të mëdha.