Select Page

Ai tha: “Le të jetë ky një pakt mes meje e teje.” – Ky kusht është i pranueshëm dhe tashmë kemi një marrëveshje, sipas së cilës:

Cilindo afat që të plotësoj, të mos ketë keqdashje ndaj meje.Pra, edhe nëse qëndroj tetë vjet, që janë të detyrueshme, edhe nëse qëndroj dhjetë vjet, që janë në dëshirën time, nuk është gjynah për mua dhe nuk ka asnjë masë ndëshkuese.

Allahu le të jetë garant për këtë që po themi.Ai na mbikëqyr dhe dhe ti e di mirë që ne ramë dakord. Babai i këtyre dy vajzave nuk është Shuajbi, profeti i njohur, siç është përhapur ndër shumë njerëz. Ky është një pretendim që nuk bazohet në tekste autentike. E shumta që mund të thuhet është se Shuajbi ka qenë në Medjen dhe se kjo ngjarje ndodhi ne Medjen. Po ku është argumenti se ka ndodhur në kohën e profetit Shuajb?

Nuk ka asnjë argument që të vërtetojë këtë. Askush nuk ka argument që tregon se Musai jetoi në kohën e Shuajbit dhe as që e ka takuar atë. Nëse do të ishte profeti Shuajb, Zoti do ta përmendte emrin e tij, e po ashtu dy vajzat. Gjithashtu, mund të themi se Allahu e shkatërroi popullin e Shuajbit dhe në Medjen kishin mbetur veçse ata që e besonin. Dhe, sipas kësaj logjike, ishte e papranueshme që besimtarët të mos kujdeseshin për vajzat e Profetit të tyre, duke i penguar tek uji, por do të ndodhte e kundërta.

Kurrë nuk do të ndodhte që ata të shpërfillnin punët e Profetit të tyre dhe të prisnin që të vinte një burrë i huaj e t’u tregonte mirësjelljen para detyrimit për Profetin. Pastaj, si do të lejonte profeti Shuajb që Musai, profeti i Zotit, të ishte punëtor në shtëpinë e tij, kur dihet se ai ishte më i miri dhe më lart se Shuajbi si profet. Por Allahu është më i ditur për gjithçka. Vetëm nëse dikush mund të thotë se kjo ishte para se Musai të bëhej profet. Sidoqoftë, është e papranueshme që të pretendohet se bëhet fjalë për Shuajbin profet, pa pasur ndonjë argument të posaçëm për këtë nga Profeti ynë (a.s).