Select Page

– “Çdo gjë që të shpenzoni nga pasuria dhe çdo betim (nedhër) që të bëni, të jeni të sigurt se Allahu i di të gjitha.” – Këtu bëhet fjalë për shpenzimet që bëhen në rrugë të Zotit, të çfarëdo lloji qofshin ato: të detyrueshme apo të pëlqyeshme, të vogla apo të mëdha, ato për të cilat ka urdhëruar Allahu i Lartësuar apo ato të cilat vetë robi ia ka bërë të detyrueshme vetes së vet, siç janë betimet (nedhër).

Pa dyshim që Allahu i Lartësuar i di të gjitha këto, sepse Atij nuk i fshihet asgjë. Ai di edhe qëllimet e çdo vepruesi. Nëse nxitësi i tyre është dëshira e sinqertë për të kënaqur Allahun e Madhëruar, atëherë Ai do të japë shpërblim të madh për to.

Nga ana tjetër, nëse robi nuk e përmbush detyrimin për të shpenzuar, ose e përmbush atë, por duke pasur si synim vetëm kënaqësinë e krijesave, atëherë ai është treguar i padrejtë, zullumqar, sepse i vendos gjërat jo në vendin që u takon. Për këtë arsye, ai meriton ndëshkimin më të dhimbshëm:

– “Për të padrejtët nuk ka ndihmëtarë.” – Pra, ata nuk do të marrin ndihmë prej asnjë krijese. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë prej ndëshkimit dëshpërues dhe të hidhur.