– ”Thuaj: “M’i tregoni ata (idhuj) që ia keni shoqëruar Atij si ortakë!” – Thuaju atyre, o Profet, por edhe ju që kryeni misionin e Profetit. M’i tregoni ata (idhuj) që ia shoqëroni Atij si ortakë! Na tregoni ku janë ata idhuj dhe na tregoni mënyrën për t’i njohur ata. A janë në tokë apo në qiell? Ai që është i Gjithëdituri për të shfaqurën dhe të fshehtën na ka njoftuar se nuk ka në ekzistencë asnjë që të jetë shok e partner me Zotin, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata adhurojnë veç Allahut ata që nuk mund t’i dëmtojnë e as nuk mund t’u sjellin dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.” Thuaj: “Vallë, ju do ta informoni Allahun për diçka që nuk e ditka, në qiej dhe në tokë?!” I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ata adhurojnë veç Tij!” [Junus 18].
“Me të vërtetë, Allahut i përket gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në tokë. Ata të cilët adhurojnë idhuj në vend të Allahut, shkojnë pas hamendësimeve, dhe nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse gënjejnë.” [Junus 66]. Kështu, të gjithë robërit e zgjedhur të Zotit, si profetët dhe të dërguarit, e dinë mirë se Zoti nuk ka shokë e partnerë. Më tregoni ju, o idhujtarë, ata idhuj që ia shoqëroni Zotit, me pretendimet tuaja të kota dhe boshe. Kjo është një kërkesë që, sigurisht, ata nuk kishin mundësi që t’i përgjigjeshin. Për këtë arsye, Allahu thotë:
– ”Jo, Ai nuk ka shok.” – Allahu nuk ka shokë, partnerë, as ndihmës e të barabartë me Të e as të kundërt me Të.
– ”Ai është Allahu, i Gjithëfuqishmi, i Urti!” – Allahu është i vetmi që meriton ta adhurosh e t’i nënshtrohesh. Ai është Krenari e Ngadhënjimtari, i Cili ka nënshtruar gjithçka. Çdo gjë tjetër është e përulur para Tij, është nevojtare e dobët dhe nën kujdesin dhe sundimin e Tij. Allahu është i Urti, i Cili çdo gjë që ka krijuar e ka përkryer dhe çdo ligj që ka sjellë ndër njerëz, gjithashtu e ka përsosur, në bukurinë dhe drejtësinë e tij. Mjafton vetëm fakti se në këtë Sheriat Allahu urdhëroi për teuhidin, për të kuptuar bukurinë dhe drejtësinë e tij.
Ai urdhëroi për teuhid dhe sinqeritet të plotë në përkushtim vetëm ndaj Zotit. Ai e deshi këtë gjë nga njerëzit dhe e bëri si të vetmen rrugë shpëtimi për ta. Ai ndaloi shirkun dhe lidhjen me zota të tjerë dhe na tregoi se kjo është rruga e dëshpërimit dhe shkatërrimit. Mjaftojnë vetëm këto urdhëresa dhe ligje për të gjykuar me bindje se ky është një Sheriat i drejtë dhe i urtë. Atëherë, si do të ishte, nëse të gjitha urdhëresat dhe ndalesat që Ai ka ligjëruar janë vetë urtësia dhe mirësia?