Select Page

– “Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja. ” – Pasi përshkroi banorët e Xhenetit, Allahu i Madhëruar vijoi të flasë për banorët e Zjarrit. Ai na tregon se ligësia që grumbullojnë në këtë dynja janë pikërisht veprat e këqija, që e zemërojnë Atë, si llojet e shumta të kufrit dhe të gjitha format e poshtërsive dhe të shfrenimit.

Për këtë arsye, shpërblimi që do të marrin është sipas poshtërsive të tyre, pra, i keq dhe dëshpërues. Ky dënim ka për t’i trishtuar në varësi të veprave që bëjnë. Allahu i Madhëruar na njofton se:

Ata do t’i  mbulojë poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu. ” – Ata i mbulon poshtërimi dhe tmerri nga ndëshkimi i Allahut. Askush nuk mund ta pengojë atë ndëshkim apo t’i shpëtojë ata prej tij. Tmerri i brendshëm shfaqet edhe së jashtmi, sepse ai shndërrohet në nxirje për fytyrat e tyre:

– “Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë atje përjetësisht.” – Do të jenë përjetësisht në këtë gjendje të mjerueshme, nga e cila askush nuk u del në ndihmë që t’i shpëtojë. Krahasoni vetë tani gjendjen e dy grupeve.

Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Atë Ditë do të ketë fytyra të ndritura, që Zotin e tyre do të shikojnë. Atë Ditë do të ketë edhe fytyra të zymta, që presin atë (Dënim të ashpër) që të thyen kurrizin.” [Kijame 22 – 25]. Gjithashtu: Atë Ditë do të ketë fytyra të shndritura, Të buzëqeshura e të gëzuara. Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që i ka mbuluar errësira. Këta janë mohuesit, gjynahqarët.” [Abese 38 – 42].