– “Kështu, Ne i shpallëm Nuhut: “Ndërtoje anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe sipas urdhrit Tonë!” – Allahu i Madhëruar iu përgjigj Nuhut duke i dhuruar mjete dhe çdo gjë të nevojshme për shpëtimin nga ndëshkimi që do të zbriste. I Madhëruari e urdhëroi Nuhun: “Ndërtoje anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe sipas urdhrit Tonë!” Pra, fillo ndërtimin e anijes për udhëtimin tonë dhe me ndihmën tonë. Ti do të jesh nën mbrojtjen Tonë dhe përkujdesin e vazhdueshëm, sepse Ne do të të shohim e dëgjojmë gjithmonë.
– “Pastaj, kur të vijë urdhri Ynë dhe të shpërthejnë burrimet e Tokës, atëherë ngarko në të nga një çift prej secilit lloj – mashkull dhe femër.” – Pra kur të vijë urdhri Ynë për tufanin me të cilin do të ndëshkohen, toka do të shpërthejë me burimet e saj, madje edhe nga guvat e zjarrta vullkanike do të shpërthejë ujë. Kur kjo të ndodhë: “atëherë ngarko në anije nga një çift prej secilit lloj!” Pra, fut në anije nga çdo lloj kafshe në çift, që nga ata të vazhdojë jetën lloji i tyre e të shumohen në Tokë. Kështu do të vazhdojnë jetën në Tokë ata që Zoti do t’i lejojë me urtësinë e Tij.
– “Le të hipë edhe familja jote, me përjashtim të atyre, për të cilët tashmë është marrë vendimi.” – Hipe në anije edhe familjen tënde, përveç atij që u vendos të mbetet me të ndëshkuarit, – dhe ky ishte djali i Nuhut.
– “Dhe mos kërko (falje) prej Meje për ata që janë keqbërës, sepse ata do të mbyten.” – Mos m’u lut mua për shpëtimin e tyre, sepse urdhri i Zotit tashmë është dhënë e ka marrë fund që ata do të jenë me të ndëshkuarit, të mbyturit.