Select Page

“Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij…” – Profeti (a.s.) pa një ëndërr në Medinë, të cilën ua tregoi edhe shokëve të tij. Ai pa sikur po hynin në Mekë dhe po bënin tavaf rreth Qabes. Por pas ngjarjes në Hudejbije, kur muslimanët u kthyen pa hyrë dot në Mekë dhe pa bërë tavaf, mes muslimanëve po qarkullonin fjalë.

Madje, disa ju drejtuan Profetit (a.s.) duke i thënë: “A nuk na kishe thënë se do të hynim në Mekë e do të bënim tavaf?!” Profeti (a.s.) u tha: “Vallë, a mos ju thashë se do të ndodhte këtë vit? – “Jo” – u përgjigjën ata. Atëherë, Profeti (a.s.) u tha: “Ju patjetër që do të hyni atje dhe do të bëni tavaf.”  Allahu i Madhëruar thotë më pas:

“… dhe e bëri realitet: …” – Kjo është një ëndërr që do të ekzekutohet patjetër. Nuk ka asnjë mundësi që ajo të mos realizohet, edhe pse kjo gjë mund të vonojë.

“Do të hyni në Shtëpinë e Shenjtë të sigurt, me vullnetin e Allahut. Kokat tuaja do të jenë të rruara ose të qethura dhe nuk do të keni frikë!” – Do të hyni në Mekë me përunjësi të thellë, duke e nderuar dhe respektuar Shtëpinë e Zotit dhe duke kryer adhurimet e umres. Ju do të plotësoni adhurimin e umres, duke rruajtur kokat apo duke i qethur flokët, dhe nuk do t’i frikësoheni asgjëje veç Zotit.

– “Ai dinte atë që ju nuk e dinit! Para kësaj, Ai ju dha një fitore të shpejtë.” – Kuptimi: Allahu dinte atë që ju nuk e dinit, për sa i përket dobisë që do të sillte Marrëveshja e Hudejbijes. Ai ju bëri të arrinit një fitore shumë të shpejtë. Në fakt, shumë sahabë u ngushtuan nga kjo ngjarje dhe patën vesvese në zemër, për shkak se nuk arrinin të kuptonin urtësinë që fshihej në atë gjykim.

Por Allahu i Madhëruar, ashtu si me të gjitha dispozitat e Tij, e qartësoi urtësinë e Tij dhe qëllimet që synoheshin me atë ngjarje. Ajo ngjarje, nëpërmjet së cilës u arritën të plotësoheshin shumë urtësi dhe qëllime të larta të Zotit, ishte e gjitha mëshirë dhe udhëzim i qartë për besimtarët. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon për një vendim të përgjithshëm të Tij: