Select Page

– “A dëshiron ndonjëri prej jush të jetë si ai që ka një kopsht me hurma e rrush, në të cilin rrjedhin lumenj e ka nga të gjitha frutat …” – Ky është shembulli i njerëzve të cilët vërtet shpenzojnë shumë për të kënaqur Allahun e Lartësuar, por pastaj bëjnë vepra të këqija, të cilat i fshijnë shpërblimet e veprave të mira. Të tillë njerëz, Allahu i Lartësuar i krahason me pronarin e një kopshti të begatë me hurma dhe rrush. Allahu ka veçuar këto dy fruta, sepse ato janë të shijshme, ushqyese dhe shumë të dobishme. Në këtë kopsht ka edhe lumenj që rrjedhin, të cilët ujisin bimësinë, pa e lodhur njeriun. Ky kopsht i begatë është shumë i dashur për të zotin e tij.

– “… por që ta ketë kapur pleqëria dhe pranë tij të ketë pasardhës të mitur …” – Përfytyrojeni këtë pronar, të cilit i janë shfaqur thinjat. Ai është i dobët dhe nuk ka fuqi të përkujdeset për kopshtin e tij, edhe pse e dëshiron aq shumë atë. Pronarin e mundon edhe diçka tjetër: ai ka pranë vetes pasardhës të mitur, që nuk mund ta ndihmojnë, madje ata janë një barrë më tepër për të. Jeta e tij dhe e tyre është e lidhur ngushtë me këtë kopësht. Në një gjendje të tillë, përfytyroni se si do të ndihet ky njeri kur kopshtin e tij ta godasë një furtunë zjarri:

– “… dhe pastaj, atë (kopshtin) ta godasë ndonjë furtunë zjarri e ta djegë?” – Përfytyrojeni këtë njeri në momentin kur sheh kopshtin e tij të digjet e të shkrumbohet! Çfarë trishtimi, ankthi e frike do të ndiejë ai? Nëse trishtimi do të vriste dikë, viktimë do ishte ky njeri. E tillë është gjendja e atyre njerëzve që bëjnë vepra të mira dhe kënaqin Allahun e Lartësuar. Veprat e mira janë pemët që japin fruta e që kënaqin syrin dhe shpirtin. Adhurimi i vazhdueshëm i Zotit është si ky kopsht, që sjell lumturi e gëzim.

Ndërsa vala që kërcënon këtë mrekulli janë veprat e këqija, të cilat shkatërrojnë dhe asgjësojnë çdo lumturi dhe gëzim të njeriut. Këtë furtunë e krijojnë, pra, veprat e këqija dhe mosbindja ndaj Zotit. Ajo furtunë vjen me zjarr, që përvëlon dhe shkrumbon. Në fakt, zjarri që ‘djeg’ veprat e mira është më i rëndë sesa ai që djeg një kopsht të begatë, sepse kur njeriu vdes, ka një nevojë të madhe për ndonjë vepër të mirë, për të përballuar ankthin dhe frikën që sjell llogaria e drejtë para Allahut të Lartësuar.

Pas vdekjes, njeriu nuk mund të bëjë më vepra të mira. Atëherë, kush do të dëshironte që, edhe ato pak vepra të mira prej të cilave pritet shpërblimi, të asgjësohen Ditën e Vështirë, Ditën e Gjykimit?! Kush do ta dëshironte një gjendje të tillë Ditën e takimit me Allahun e Drejtë?! Allahu i Lartësuar është i shpejtë në llogaritjen e robit dhe të veprave të tij.

Kështu, nëse njeriu do ta përfytyronte këtë skenë dhe do të kishte sadopak mend në kokë, nuk do t’ia lejonte vetes një fund të tillë. Porse dobësia e besimit dhe mendjelehtësia sjellin veçse të këqija. Të tilla vepra, edhe nëse do t’i bënte një i çmendur, do të konsideroheshin të rrezikshme dhe dëshpëruese. Prandaj i Lartësuari na urdhëron që të mendojmë thellë në të tillë shembuj e të vemë në punë arsyen:

– “Kështu jua sqaron Allahu argumentet, për të menduar.”