Çdo gjë në këtë botë: njerëz, xhindë, kafshë etj. do të vdesë dhe do të zhduket. Atëherë do të mbetet vetëm i Gjalli, i Cili nuk vdes. Ai është Dhul Xhelali uel Ikram – Zotëruesi i madhështisë, krenarisë dhe lartësisë, prandaj meriton madhërimin, adhurimin dhe lavdinë e plotë; ashtu siç është Zotëruesi i bujarisë e mëshirës, që përkujdeset e ka mëshirë për çdo krijesë, e në mënyrë të veçantë për të dashurit e Tij, të cilët i ka përzgjedhur mes të tjerëve.
Është Allahu, të Cilin adhuruesit e Tij e nderojnë, e respektojnë, e madhërojnë, e duan dhe e lartësojnë. Është Ai tek i Cili besimtarët pendohen dhe kthehen të nënshtruar, është Ai të Cilin të dashurit e Tij e adhurojnë si Një, të Vetëm e të Pashoq.