– “Ne u patëm caktuar atyre shokë të këqij, që vazhdimisht ua hijeshonin (gjynahet e kryera në) të shkuarën dhe të ardhmen e tyre.” – Zullumqarëve që janë armiq me të vërtetën u janë vënë si shoqërues shejtanët, të cilët nuk u ndahen dhe i nxisin për të këqija, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “A nuk e shikon ti se Ne i kemi lëshuar shejtanët kundër jobesimtarëve për ti nxitur pandërprerë në vepra të këqija?” [Merjem 83].
Ata i shtyjnë drejt gjynaheve, duke ua zbukuruar jetën e dynjasë. Shejtanët i joshin qafirët me kënaqësi haram dhe ata bien brenda, duke i ndjekur verbërisht. Ata nxisin gjithashtu për të luftuar kundër Allahut dhe profetëve të Tij. Nga ana tjetër, shejtanët i bëjnë ata që të harrojnë krejtësisht ahiretin ose i bëjnë të besojnë se Kijameti nuk ka për të ndodhur kurrë. Për këtë shkak, zemrat e tyre nuk kanë më drojë, prandaj është e thjeshtë që ata të zhyten në kufër, bidate dhe poshtërsi. Allahu i Lartësuar ua shoqëron atyre shejtanët, për shkak se ata i kanë kthyer shpinën kujtimit të Allahut dhe e shpërfillin Shpalljen e Tij.
Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Kush i kthen shpinën përmendjes të Zotit, Ne i shoqërojmë nga një shejtan, i cili nuk i ndahet kurrë. Ai (shejtani) e pengon nga rruga e drejtë, ndërkohë që ai (jobesimtari) mendon se është i udhëzuar mirë. Kur të vijë para Nesh, ai (jobesimtari) do të thotë: “Oh, mjerë për mua! Ah, sikur mes meje dhe teje (o shejtan) të kishte një largësi sa lindja prej perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!” Ju bënit padrejtësi të shumta (do t’u thuhet), prandaj sot nuk do t’ju lehtësojë aspak fakti se nuk jeni të vetmit që po ndëshkoheni.” [Zuhruf 36 – 39].
– “Dhe dënimi i tyre u bë realitet, ashtu si ai i brezave të mëparshëm të xhinëve dhe të njerëzve. Ata ishin krejtësisht të humbur.” – Është bërë detyrë e pashmangshme që mbi ta të godasë ndëshkimi i përcaktuar nga Zoti, ashtu sikurse u veprua me shumë popuj para tyre, qofshin xhindë apo njerëz. Ata u shkatërruan duke humbur dynjanë dhe ahiretin. Të humburit do të jenë gjithmonë të poshtëruar, të dëshpëruar dhe të ndëshkuar.