– “Ne ia falëm atë (gabim).“ – Zoti ia fali atë që bëri dhe e nderoi me shumë të mira. Ai thotë:
– “Dhe ai është tek Ne nga më të afruarit dhe ka një fund (e shpërblim) të mirë.“ – Ka një gradë të lartë dhe afërsi tek Ne. Gjithashtu, ai do të ketë një përfundim të mirë, një vend të mirë, kur të kthehet tek Ne. Për sa i përket gabimit që bëri Daudi (a.s) Allahu i Madhëruar nuk na i ka treguar, sepse është e panevojshme.
Kësisoj, çdo përpjekje për të gjetur çfarë gabimi ishte, është e tepruar dhe e pavend. Dobia nga kjo histori është ajo që Allahu i Madhëruar na tregoi, siç ishte mirësia që i dhuroi i Daudit (a.s) kur i mundësoi që të pendohej dhe që ia pranoi pendimin dhe kërkimin e faljes. Ai ia ngriti pozitën Daudit, saqë pas pendimit, ai u bë më i mirë dhe më i nderuar sesa para gabimit.