– “Është Ai që e pranon pendimin e robërve të Tij, që i fshin gjynahet…” – Këtu tregohet bujaria e pakufishme e Allahut të Lartësuar, mirësia absolute dhe butësia e madhe e Tij. Është i Gjithëmëshirshmi Ai që ua pranon pendimin robërve, kur ata ndiejnë keqardhje pas kryerjes së gjynahut dhe dëshirojnë që kurrë të mos i kthehen më atij gjynahu. Allahu ua pranon pendimin atyre që janë të sinqertë dhe kërkojnë sinqerisht kënaqësinë e Tij. Edhe pse gjynahet janë shkak që robërit të goditen nga ndëshkimet e dynjasë dhe të âhiretit, Allahu i Lartësuar, me butësinë, mëshirën dhe bujarinë e Tij, ua fal dhe ua mbulon gjynahet dhe nuk i ndëshkon në këtë jetë dhe as në jetën tjetër, por kjo kërkon që ata të pendohen sinqerisht, duke plotësuar kushtet e nevojshme për këtë. 164 Allahu i Lartësuar e përforcon këtë premtim kur thotë se: “Ai i fal gjynahet”, pra, i fshin ato të këqija, sikur të mos ishin bërë kurrë. Ai madje fshin edhe gjurmët e të këqijave dhe largon ndëshkimin, që është pasojë e tyre. Nëse Allahu i Gjithëmëshirshëm të fal, Ai të do, dhe kështu tek Ai je i nderuar dhe i pastër nga çdo gjynah që ke bërë. Duke të mëshiruar, Ai të jep sukses për çdo vepër të mirë që të afron tek Ai dhe në Xhenetin e Tij.
– “…dhe që e di se çfarë punoni. ” – Pendimi i robërve nuk ka tek të gjithë të njëjtin karakter. Disa mund të jenë të sinqertë në pendimin e tyre, por disa mund të jenë edhe hipokritë, me qëllime të kësaj dynjaje të pavlefshme. Këto dallime në pendimin e robërve nuk mund t’i dijë askush veç Zotit, i Cili është i Ditur për gjithçka. Prandaj i Lartësuari e mbylli ajetin me këto fjalë. Le të vlejë kjo si vërejtje, që njerëzit të jenë të kujdesshëm dhe të ruhen shumë nga qëllimet jo të sinqerta me Zotin e tyre. Allahu i Lartësuar i fton robërit që të pendohen nga gjynahet dhe mosbindja e tyre ndaj Tij, dhe pastaj të kthehen tek Ai të bindur dhe të nënshtruar. Por në varësi të reagimit ndaj kësaj ftese, njerëzit ndahen në dy grupe: ata që i përgjigjen asaj pozitivisht dhe ata që nuk e pranojnë këtë ftesë. Sa i përket grupit të parë, Allahu i Lartësuar thotë:
164“Një pendim i pranuar duhet të plotësojë disa kushte:
- 1.Sinqeriteti për Allahun e lartësuar në pendimin tënd. Pra njeriu me pendimin e tij të synojë që të kënaqë Allahun e lartësuar. Të dëshirojë që Allahu t’ia pranojë pendimin, dhe ta falë për gjynahet e tij. Me pendimin e tij nuk duhet të synojë të kënaqë njerëzit dhe të afohet tek ta, ose të ketë për qëllim thjesht t’i shpëtojë dënimeve të shtetit. Por me pendimin e tij të kërkojë vetëm kënaqësinë e Zotit dhe që Ai t’ia falë gjynahet e tij.
- 2.Kushti i dytë. Të largohet menjëherë prej gjynaheve dhe ky është një nga kushtet më të rëndësishme të saktësisë dhe pranimit të pendimit. Nëse gjynahu është lënie uaxhibi pendimi realizohet duke filluar zbatimin dhe kryerjen e këtij uaxhibi. P.sh nëse dikush nuk jepte zekatin dhe dëshion që Allahu ta falë, ai duhet të japë zekatin e pasurisë që nuk e ka dhënë gjatë viteve që kanë shkuar. Nëse dikush ka qenë i mangët në bamirësinë ndaj prindërve, ai duhet të përpiqet maksimalisht për të qënë bamirës ndaj tyre. Nëse ke qënë i mangët në mardhëniet dhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore ai duhet të lidhë ato sërisht. Nëse kryente harame ai duhet të largohet menjëherë prej tyre dhe të mos vonohet asnjë çast. Nëse ka qenë pej atyre që përfitonin nëpërmjet ribasë duhet të ndërpres menjëherë këtë mënyrë fitimi dhe të largohet prej saj. Duhet gjithashtu që shtesën e fituar prej ribasë ta shpenzojë me mënyrën e lejuar nga sherjati. Nëse ka qenë mashtrues dhe vjedhës i pasurisë së njerëzve me hile e padrejtësi ai duhet të ndalet dhe të pastrohet nga këto cilësi (mashtrimi, gënjeshtra, tradhëtia). Nëse pasuritë i ka marrë padrejtësisht prej dikujt duhet që t’ia kthej atij dhe ti kërkoj hallallëkun prej tij. Nëse ka qenë përgojues dhe nëpërkëmbës i nderit të njerëzve ai duhet të ndalet nga kjo vepër e keqe. Nuk ka asnjë vlerë që dikush të thotë: “U pendova” dhe pastaj të vazhdojë në gjynahet e tij, në lënien e vaxhibeve, në kryerjen e harameve. E pra ky pendim është i pa vlefshëm dhe i pa pranueshëm tek Allahu i lartësuar dhe i gjithëditur. Madje ky lloj pendimi është si tallje ndaj Zotit Krenar dhe të lartësuar. E si mund të pretendosh se u pendove ndërkohë vazhdon në gjynahet e tua dhe në mos bindje ndaj Zotit?! Nëse dikujt prej njerëzve ndaj të cilit ke gabuar do ti drejtoheshe duke i thënë: “më fal unë kam gabuar kundrejt teje dhe kurrë nuk do ti kthehem atij gabimi,” por në zemrën tënde ti përsëri dëshiron që ti kthehesh atij gabimi, kjo padyshim do të konsiderohej si tallje dhe nënvlerësim për atë person. Po kur bëhet fjalë për Zotin e gjithësisë çfarë mund të mendohet dhe si mund të konsiderohet një vepër e tillë?! Kështu pra i penduar sinqerisht konsiderohet ai i cili largohet nga gabimi dhe ka vendosur që të mos i kthehet më atij. Është e habitshme se si disa njerëz bisedojnë me ty dhe shprehin keqardhjen e madhe për çështjen e ribasë, megjithatë përsëri vazhdojnë me të, Allahu na ruajt dhe na udhëzoftë!! Të tjerë tregojnë keqardhe për çështjen e gibetit dhe shkeljes së të drejtave të njerëzve ndërkohë që ata janë më të keqijtë që kryejnë këtë gjynah dhe vazhdojnë në të. Allahu na ruajt dhe na shpëtoftë nga çdo e keqe! Dikush tjetër shpreh urrejtjen dhe dëshpërimin nga mashtrimet dhe shkeljet të të drejtave të njerëzve e moskorrektësinë e tyre, e pastaj vazhdon të jetë njeriu më mashtrues dhe jo korrekt në plotësimin e të drejtave të njerëzve. Pra çdo njeri duhet të lërë gabimin prej të cilit u pendua ose në të kundërt pendimi i tij është i rrefuzuar dhe i pa vlefshëm, i pa dobishëm tek Zoti.
***
Gabimet e njeriut ndahen në dy kategori:
- 1. Gabime ndaj Zotit.
- 2. Dhe gabimet ndaj krijesave.
Për gabimin ndaj Zotit mjafton të pendohemi dhe të ndalemi prej tij me vendosmëri për të mos iu kthyer kurrë. Në këtë rast mjafton kjo dhe nuk është e nevojshme, madje mund të themi se nuk lejohet, që t’u tregosh njerëzve për gjynahet e tua qofshin lënie vaxhibesh apo kryerje haramesh. Sepse ato kanë qenë gjynahe mes teje dhe Allahut dhe, i lartësuari ti fshehu dhe mbuloi nga sytë e njerëzve. Pra nuk është me vend që të zbulosh atë që Zoti me mirësinë e bujarinë e tij t’i mbuloi. Profeti a.s ka thënë: “Çdo pjestar i umetit tim është i sigurt e i falur, përveç muxhahirinëve (të shfaqurve në gjynahet e tyre) [Buhari dhe Muslimi], sikurse është përmendur edhe në haadith muxhahirinë janë ata që bëjnë gjynahe dhe kur gdhihen u flasin e tregojnë njerëzve që bënë kështu dhe ashtu….” Disa dijetarë kanë thënë se nëse dikush bën një gabim që përmban ndëshkim sherijati, nuk ka problem që të shkojë tek imami që egzekuton ndëshkimet ti tregojë për gabimin dhe të kërkojë prej tij që të egzekutojë ndëshkimin e sherijatit si pastrim për të. Por megjithatë më e mira është që ai t’ia mbulojë vetes atë që Zoti ia mbuloi dhe të pendohet sinqerisht sepse i lartësuari është Bujar, Falës dhe shumë i mëshirshëm. Ai e pranon pendimin nga robërit e Tij dhe i fal të këqiat. Lloji i dytë i gjynaheve janë gjynahet ndaj krijesave. Në këtë rast, pendimit, përveç kushtit të mësipërm, nëse ka të bëj në mënyrë të posaçme me hakun e krijesës, atëherë i shtohet një kusht tjetër: Ti kthejë hakun atij që i takon. P.sh nëse ka vjedhur nga dikush duhet t’ia kthesh atij atë që i ke vjedhur ose vlerën e saj. Nëse ke mohuar të drejtën e dikujt, p.sh e ke mohuar se i ke borxh që në të vërtet ia ke, atëherë pendimi presupozon që të pranosh të vërtetën dhe t’ia japësh hakun e tij. Nëse i zoti i të drejtës ka vdekur atëherë ia jep trashëgimtarëve të tij. Nëse nuk e njeh apo nuk ka mundësi ta gjesh atë apo trashëgimtarët e tij, atëherë jepe sadeka në emër të tij dhe Allahu të çliron prej saj dhe ia jep atij hakun e tij. Nëse padrejtësia ndaj njerëzve është e natyrës fizike p.sh i ka rrahur apo të njgjashme me këto, atëherë pendimi e kërkon që të shkosh tek ata dhe t’u mundësosh të të godasin ashtu sikurse i godite, sepse Allahu i lartësuar ka thënë : “Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët. E kush hakmerret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi. Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtësi dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është përgatitur një dënim i dhembshëm. Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm). El shura 40 – 43 Dhe thotë: “…Pra, kush ju sulmon juve, sulmojeni edhe ju po në atë masë. Kini frikë nga Allahu dhe dijeni se Allahu, pa dyshim, është me të devotshmit (të cilët i respektojnë kufijtë e Zotit). Bekare 194. Nëse padrejtësia është bërë me fjalë rënduese e fyese mes njerëzve atëherë pendimin e kërkon që të shkosh tek ai dhe të kërkosh hallallëkun e të përmbushësh kërkesat e tij sipas asaj që do të bini dakort që e drejta të shkojë në vend. Madje edhe nëse të thotë që nuk të fal derisa të më japësh kaq e aq, jepja atij. Nëse padrejtësia është gibet përgojim, pra ke folur në mungesë të tij dhe e ke përgojuar ndër njerëz. Për këtë çështje dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa janë të mendimit se një pendim i sinqert e kërkon që të shkosh tek ai dhe t’i kërkosh hallallëkun. Por të tjerë thonë: Jo gjithmonë veprohet kështu. Nëse ai e ka marrë vesh këtë gjë atëherë mund të shkosh tek ai dhe t’i kërkosh hallallëkun. Por nëse nuk e ke marë vesh, atëherë mjafton që në atë mexhlis ku e ke përmedur për keq ta përmendësh për mirë dhe të përmendësh anët e tij të mira e të kërkosh falje për të. Në këtë mënyrë të këqiat fshihen nga të mirat. Ky mendim është më i saktë dhe më i drejtë. Në hadith është përmendur: “falja për atë që e ka përgojuar është: “Të kërkosh falje për të.”. Kështu pra pendimi e kërkon që të drejtat t’u kthehen atyre që i kanë.
- 3.Kushti i tretë. Vendosmëria për të mos iu kthyer kurrë në të ardhmen gabimit nga i cili u pendove. Nëse në zemrën tënde ende egziston dëshira për t’u kthyer kur të të jepet mundësia, pendimi është i pa saktë i pa vlefshëm. P.sh dikush me pasurinë e tij merret me tregëtinë e pijeve dehëse apo e shfrytëzon në udhëtime për të bërë zina e poshtërsi, Allahu na ruajt! Por më pas e kapi varfëria dhe thotë: O Zot unë pendohem tek ty.” Por në të vërtet ai është gënjeshtar, ngase në zemrën e tij ai ka dëshirën që po të kishte pasuri, do të bënte përsëri të njëjtin gabim. Ky lloj pendimi është pendimi i atij që nuk ka mundësi të bëjë gjynahe. Pra, u pendua apo jo, nuk ka mundësi të bëjë gjynahe. Shumë njerëz pasi i kap varfëria thonë: “ U pendova”, por ende kanë dëshirë që nëse Zoti do t’i jepte përsëri pasuri, do të ktheheshin në të njëjtën gjendje si më parë. Ky lloj pendimi është i papranueshëm tek Zoti.
- 4.Kushti i katërt. Pendimi duhet të jetë në kohën kur pranohet pendimi. Nëse pendohet në kohën kur pendimi është i papranueshëm, kjo është e padobishme. Koha shihet në dy kënvështrime:
- 1.Në lidhje me njeriun dhe gjendjen e tij.
- 2.Në përgjithësi.
Sa i përket pikës së parë themi se pendimi duhet të jetë para mbarimit të exhelit, pra para momentit të vdekjes. Në të kundërt ajo nuk i sjell dobi robit, sepse Allahu i madhëruar thotë: “Nuk është i pranueshëm pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë vepra të këqija dhe vetëm atëherë kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, thotë “Unë tani me të vërtetë u pendova!”, as pendimi i atyre që vdesin si jobesimtarë. Për ta kemi përgatitur dënimin më të ashpër.” El nisa 18 Dhe thotë: “Dhe kur e panë Dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robërve të Tij. Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” El Gafir 84 – 85. Kur njeriu sheh vdekjen dhe afrimin e exhelit të tij, kjo do të thotë që ai e ka humbur shpresën se do të mund të vazhdojë të jetojë dhe pendimi në këto kushte nuk është në vendin e vet. Pasi sigurohet se nuk ka për të jetuar më në jetën e kësaj bote, pretendon se je kthyer dhe je penduar?! Ky është një pendim i detyruar që nuk i sjell asnjë dobi vepruesit të tij. Pendimi që të jetë i pranuar dhe i dobishëm duhet të bëhet më parë. Sa i përket pikes së dytë pra kufizimi i kohës së pendimit në përgjithësi, Profeti a.s. na ka njoftuar se: “Hixhreti kurrë nuk ka për t’u ndërprerë deri sat ë jetë ndërprerë mundësia e pendimit dhe mundësia e pendimit numk do të ndërpritet derisa të lindë djelli nga perëndimi.” Pra pasi dielli të ketë lindur nga perëndimi askujt nuk do ti bëjë dobi pendimi. Allahu i lartësuar ka thënë: “Vallë, a mos po presin tani t’u vijnë melekët ose Vetë Zoti yt ose të vijnë disa nga Shenjat e Zotit tënd?! Ditën kur të vijnë shenja të caktuara të Zotit tënd, askujt nuk do t’i vlejë besimi, nëse nuk ka besuar më parë ose nëse nuk ka bërë asnjë të mirë prej besimit të tij. Thuaj: “Prisni, sepse edhe ne jemi duke pritur!”. El en’am 158. Me fjalën disa nga shenjat e Zotit aludohet për lindjen e diellit nga perëndimi, sikurse e ka shpjeguar Profeti a.s. Kështu pra, pendimi duhet të bëhet në një kohë kur është e mundur pranimi i tij, në të kundër teubja është e pavlefshme inegzistente.
Shtrohet një pyetje: A është i pranueshëm pendimi për një gjynah të caktuar nëse robi është i vazhdueshëm në kryerjen e një gjynafi tjetër? Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë çështje:
- 1.Prej tyre ka që janë të mendimit se pendimi për një gabim të caktuar është i saktë edhe nëse robi vazhdon të jetë i vazhdueshëm në kryerjen e një gjynahu tjetër. Atij i pranohet pendimin për gjynahun prej të cilit pendohet dhe mbetet gjynahu për gabimin të cilin vazhdon ta kryejë.
- 2.Të tjerë thanë: “Nuk pranohet pendimi për një gabim përsa kohë robi vazhdon të jetë i vazhdueshëm në kryerjen e një gabimi tjetër.
Të tjerë kanë dhënë shpjegimin se nëse gjynahu të cilin ai vazhdon ta kryejë është i të njëjtit lloj me gjynahun prej të cilit është penduar, atëherë pendimi nuk është i saktë, në të kundërt ai është i pranueshëm. Le të japim një shembull: Një njeri është penduar nga konsumimi i fajdesë, por vazhdon të jetë konsumues i pijeve dehëse ose mardhënieve jashtëmartesore. A është i pranueshëm pendimi i tij në çështjen e konsumimit të fajdesë? E pra, prej dijetarëve, disa janë të mendimit se pendimi i tij për fajdenë është i papranueshëm përderisa ai vazhdon të konsumojë gjynahet e tjera. Por dijetarë të tjerë, mes tyre edhe autori i librit, janë të mendimit se pendimi për fajdenë është i pranueshëm, sipas mendimit më të pranueshëm dhe të saktë mes dijetarëve. Këto ishin mendimet për një rast të tillë. Ndërsa përsa i përket rastit tjetër si psh një njeri që pendohet nga kryerja e mardhëieve jashtëmartesore dhe i lë ato, por vazhdon të kryejë gjynahun e shikimit në haram dhe shikimit me epsh në gratë që nuk i lejohet, atëherë në këtë rast, a pranohet apo jo pendimi i tij? Edhe për këtë rast dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa thonë se pranohet e disa të tjerë thonë që jo. Gjithsesi, mendimi më i saktë në këtë çështje është se pendimi i robit pranohet në të gjitha rastet për gabimin nga i cili pendohet, edhe pse vashdon të jetë i vazhdueshëm në gjynahe të tjera. Por duhet të theksojmë se ai nuk mund të quhet me emrin “i penduar” dhe nuk meriton lëvdimin që meritojnë “Të penduarit” sepse pendimi i tij nuk është pendim i plotë nga çdo gjynah por pendim i mangët. Është e vërtetë që ai u pendua nga një gjynah i caktuar dhe vërtet nuk meret në përgjegjësi për atë gjynah, por nuk meriton të quhet me titullin “i pendur” për të cilët Zoti ka përmendur aq mirësi dhe ka premtuar atë që ka premtuar, derisa të pendohet nga çdo gjynah që kryen. Ky është mendimi në të cilin qetësohet zemra dhe e besojmë si më të saktë. [Shpjegimi i “Rijadus-salihin” nga Ibn Uthejmin]