– ”Dhe Allahu i zmbrapsi ata që nuk besuan bashkë me tërë mllefin e tyre, dhe ata nuk fituan asgjë të mirë.” – I ktheu ata duarbosh dhe të poshtëruar. Ata nuk e arritën dot atë që, me aq padurim, synonin ta arrinin e realizonin, domethënë, vrasjen e Profetit dhe të besimtarëve. Ata ishin të bindur se do ta arrinin qëllimin, sepse i mashtroi epërsia numerike e aftësitë ushtarake. Ata u krenuan me aleancën e tyre të gjerë në këtë luftë dhe ishin tërësisht të bindur për fitoren.
Por Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre një furtunë shumë të madhe, që i tronditi e shkuli nga vendi i fushimit. Era ua fluturoi çadrat dhe ua derdhi përmbysi kazanët ku gatuanin. Ndërsa në zemrat e tyre Allahu futi frikën, dhe kështu u larguan të mbushur me zemërim dhe me urrejtje. Kjo ishte ndihma e Allahut për robërit e Tij besimtarë.
– ”Dhe Allahu ua largoi luftën besimtarëve.” – Allahu i ruajti besimtarët me ushtrinë e Tij, me erërat e furishme.
– ”Allahu është i Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar.” – Çdokush që lufton kundër rrugës së Tij dhe besimtarëve, do të mposhtet. Për Allahun, asgjë nuk është e pamundur. Ai e përmbush gjithçka që dëshiron. Asnjë fuqi dhe ushtri nuk të bën dobi përballë fuqisë së Tij. Edhe më të fuqishmit nuk i sjell dobi fuqia, nëse nuk e ndihmon Allahu.