Select Page

– “A nuk e ke parë parinë e bijve të Israilit, pas Musait …” – Këtu Allahu i Lartësuar na tregon me vërtetësi historinë e parisë së bijve të Israilit. Allahu i Lartësuar i përmend këta në mënyrë të veçantë, sepse janë pikërisht paria dhe të zgjedhurit e një kombi ata të cilët kërkojnë të mirën e kombit të tyre, ndërsa populli ecën në gjurmët e tyre. Ata vendosin për çështjet e popullit dhe populli i thjeshtë i pason dhe u bindet. Kështu, pas Musait (a.s.), një grup prej parisë së bijve të Israilit shkuan te një Profet, që ishte i dërguar mes tyre, e i thanë:

  “… kur i thanë një Profeti të tyre: “Cakto për ne një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!” – Ata i kërkuan këtij Profeti që ai t’u përcaktonte atyre një mbret, një udhëheqës të zotin, që t’i bashkonte të gjitha fiset e përçara të bijve të Israilit dhe t’i udhëhiqte në luftë kundër armiqve të tyre. Ndoshta asokohe, çifutët nuk kishin një mbret ose një prijës që t’i udhëhiqte në luftë kundër qafirëve dhe t’i bashkonte fiset e tyre të përçara, sikurse ndodh zakonisht, kur asnjë fis nuk pranon udhëheqës tjetër veç udhëheqësit të vet.

Në këtë mënyrë, ata kërkuan prej Profetit që të përcaktonte udhëheqësin, të cilit duhet t’i bindeshin të gjithë. (Te bijtë e Israilit dërgoheshin gjithmonë profetë. Sa herë që vdiste një profet, dërgohej një tjetër ). Kur ata i bënë këtë kërkesë Profetit të tyre, ai u tha:

  “Ai u tha: “Po sikur të ndodhë që lufta t’ju bëhet detyrë dhe ju të mos luftoni?”” – Kështu, Profeti u tërhoqi vërejtjen që të mos i bënin bisht detyrimit, pasi ai të hynte në fuqi. Nëse lufta do t’u bëhej detyrë prej Zotit, ata nuk duhej t’i kthenin shpinën asaj. Në këtë mënyrë, Profeti u ofroi atyre edhe një mundësi për të jetuar në paqe dhe për t’u menduar mirë, para se të kërkonin prej Allahut gjëra që ndoshta nuk do t’i përballonin dot. Por, pavarësisht nga kjo, ata nuk e pranuan këtë ofertë dhe kërkuan me ngulm luftën, duke pasur besim të plotë në qëllimin që i patën vënë vetes:

“Ata thanë: “E pse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe fëmijët tanë?!”. – Ky ishte mendimi i tyre. Pra, ata thanë: “E çfarë na pengon ne nga lufta, ndërkohë që jemi të detyruar të luftojmë? Ne jemi dëbuar nga atdheu ynë. Familjet dhe fëmijët tanë janë robër të armikut tonë. Kaq është mëse e mjaftueshme që ne të nisim luftën, edhe pse ende nuk na është bërë detyrim. E si të mos luftojmë pastaj, kur përveç kësaj, lufta do të na bëhet detyrim edhe prej Zotit?!” Me këto fjalë, ata shfaqën një gatishmëri të plotë për të luftuar, nëse Zoti do t’ua bënte të detyrueshme këtë gjë.

Porse fjalët nuk janë gjithçka. Është tepër e rëndësishme që fjalët të shprehin me sinqeritet atë që ndien dhe dëshiron zemra. Kështu, duke qenë se qëllimet e tyre nuk ishin të sinqerta dhe zemrat e tyre nuk ishin të pastra në atë që kërkonin, dhe kur mbështetja e tyre tek Allahu i Lartësuar nuk ishte e saktë dhe e rregullt, atëherë shikoni se çfarë ndodhi me ta:

– “Por kur u urdhëruan për të luftuar, ata u sprapsën, përveç një pakice prej tyre.” – Ata u frikësuan shumë nga kjo luftë kundër armikut të tyre dhe filluan të tregonin dobësinë e tyre për ta përballuar atë sfidë. Ajo që pak më parë i nxiste për të luftuar, u zhduk nga kujtesa e tyre. Shumica u tmerruan dhe u zbrapsën të frikësuar nga pranimi i kësaj sfide. Në këtë sfidë qëndruan të patundur vetëm një pakicë e vogël nga mesi i tyre. Këta ishin ata të cilët i ruajti Allahu i Lartësuar, duke ua forcuar zemrat dhe duke i bërë të qëndrueshëm e durimtarë.

Vetëm këta i qëndruan besnikë urdhrit të Allahut dhe filluan sinqerisht të përgatiteshin për ballafaqimin e madh me armikun. Durimtarët dhe të bindurit gjithmonë do të meritojnë nderimin më të madh në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ndërsa shumica tjetër u treguan të padrejtë ndaj vetes dhe e shpërfillën urdhrin e Zotit të tyre, i Cili thotë:

– “Allahu Di gjithçka për të padrejtët.” – Pas kësaj, duke iu përgjigjur kërkesës së parashtruar, Profeti i tyre tha: