– “A nuk i ke parë ata që, edhe pse ishin me mijëra, u larguan prej atdheut të vet për t’i shpëtuar vdekjes?” – Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon historinë e disa mijëra njerëzve, të cilët u larguan nga vendi i tyre me një qëllim të vetëm: për t’i shpëtuar vdekjes nga një fatkeqësi që u kanosej. Porse caktimit të Allahut nuk mund t’i shpëtosh. Kështu, Allahu i Lartësuar u tha:
– “Allahu u tha atyre: “Vdisni!” E pastaj Ai i ringjalli.” – Pra, ata vdiqën që të gjithë. Më pas, Allahu i Lartësuar i ringjalli ata, ndoshta për shkak të lutjes së Profetit të tyre, ose për ndonjë shkak tjetër. Ai i ringjalli ata, duke u treguar në këtë mënyrë mëshirën, butësinë dhe faljen e Tij të madhe. Ai i ringjalli ata, për t’u qartësuar krijesave fuqinë e Tij të padiskutueshme për ringjalljen e të vdekurve. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës.” – Megjithëse Allahu i Lartësuar u dhuron krijesave mirësi të jashtëzakonshme, shumica e tyre nuk tregojnë mirënjohje. Madje shumë prej tyre, mirësitë e dhuruara nga Allahu i Lartësuar, i shfrytëzojnë për të kryer gjynahe ndaj Tij.
Pak njerëz i njohin mirësitë e Zotit dhe shumë pak prej tyre i përdorin ato për ta falënderuar Atë dhe për të treguar mirënjohjen ndaj Tij. Pastaj, i Lartësuari na urdhëron që të luftojmë për hir të Tij, kundër armiqve të rrugës së drejtë. Ai na urdhëron që të luftojmë për të përhapur ndër njerëz fenë e Tij: adhurimin e një Zoti të vetëm: