Select Page

– “Ata që janë duke vdekur dhe kanë gra që do t’i lënë pas, le të lënë me testament furnizimin për gratë e tyre për një vit rresht, pa i nxjerrë ato prej shtëpisë.” – Burrat të cilët janë duke vdekur dhe që do të lënë pas vetes gratë e tyre, duhet që të lënë me testament pasuri të mjaftueshme për gratë e tyre, aq sa u duhet atyre për një vit të plotë, në mënyrë që ato të mos e kenë të nevojshme të dalin nga shtëpitë e tyre.

  “Por, nëse ato dalin vetë, ju nuk merrni gjynah për ato veprime që ato i bëjnë me vetveten (sipas normave). Allahu është i Gjithfuqishëm e i Urtë.” – Pra, nëse ato vetë dëshirojnë që të dalin nga kjo përkujdesje, atëherë kujdestarët e grave nuk ngarkohen me gjynah nëse ato gra bëjnë me veten e tyre disa vepra të lejuara. Cilat qenkan këto vepra të lejueshme, të cilat nuk përbëjnë gjynah? 

Janë ato veprime që Allahu i ka përshkruar si “min mearuf”, pra, veprime sipas normave të pranuara gjerësisht nga njerëzit, por që nuk bien ndesh me Sheriatin. Kështu, për shembull, grave u lejohet të zbukurohen ose të përdorin parfumin, por brenda kufijve të vendosur nga Sheriati. Disa thonë që dispozita e këtij ajeti është anuluar me dispozitën e ajetit 234 të kësaj sureje, ku thuhet se gruaja së cilës i vdes burri e ka të detyrueshme të presë katër muaj e dhjetë ditë pas vdekjes së burrit.

Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se nuk kemi të bëjmë me anulim dispozitash, porse ajeti 234 tregon kohën që është e detyrueshme për gruan të presë. Pra, gruaja e ka detyrim që të presë katër muaj e dhjetë ditë pas vdekjes së burrit, ndërsa pas kalimit të kësaj kohe, për të është e pëlqyeshme që të vazhdojë të presë edhe më gjatë. Megjithatë, kjo pëlqyeshmëri është në varësi të gjendjes së gruas dhe nevojave të saj.

Me fjalë të tjera, ky ajet që po trajtojmë tani (nr. 240) nxit për një vepër të pëlqyeshme. Gruaja që dëshiron ta nderojë edhe më shumë burrin e vdekur, por duke marrë parasysh edhe nevojat e saj, le ta plotësojë pritjen deri në një vit. Si argument që tregon se plotësimi i periudhës njëvjeçare është i pëlqyeshëm dhe jo i detyrueshëm, mund të përmendim edhe një fakt tjetër, që ceket në këtë ajet. Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse ato dalin me dëshirën e tyre nga përkujdesja njëvjeçare, para plotësimit të një viti, ky veprim nuk e ngarkon me gjynah kujdestarin e tyre ligjor.

Prandaj, nëse plotësimi i periudhës njëvjeçare do të ishte i detyrueshëm dhe gratë do ta thyenin këtë detyrim, atëherë ky do të ishte një gjynah. Thënë ndryshe, kur Allahu i Lartësuar na tregon se dalja e tyre nuk është gjynah, kjo tregon që plotësimi i vitit nuk është i detyrueshëm për to. Si përfundim, këtu nuk kemi të bëjmë me (abrogim) shfuqizim dispozitash, por kemi të bëjmë me sqarim më të hollësishëm të kufijve të detyrimit dhe atyre të pëlqimit.