– “Shko te faraoni sepse, ai vërtet i ka kaluar të gjithë kufijtë!” – Pasi e bëri Profet dhe pasi i tregoi shenjat e mëdha, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain të shkonte tek Faraoni, sundimtari i Misirit, sepse ai i kishte kaluar kufijtë. Ai ishte treguar arrogant e tiran. Faraoni i kishte kaluar kufijtë me mohimin e Zotit, me shkatërrime, padrejtësi dhe me shtypjen e të dobtëve. Madje ai, – Allahu e shëmtoftë! – shkoi më larg se kaq dhe pretendoi se ishte Zot. Kalimi i kufijve ishte shkak për shkatërrimin e tij.
Megjithatë, Allahu i Madhëruar është i Mëshirshëm, i Urtë dhe i Drejtë dhe nuk ndëshkon asnjë pa i çuar argumente përmes profetëve. Atëherë e kuptoi Musai se po mbante një peshë të rëndë. Ai do të shkonte si i dërguar i Zotit tek ky tiran i pamëshirshëm, arrogant e inatçor, të cilit nuk i dilte para askush në Misir. Përveç kësaj, ishte edhe një çështje tjetër shumë shqetësuese. Musai (a.s) ishte shpallur në kërkim për një vrasje në popullin e Faraonit. Megjithatë, ai e pranoi urdhrin e Zotit të tij, me kënaqësi e nënshtrim dhe iu lut Atij për ndihmë e lehtësim. Në fakt, kjo lutje ishte edhe një përpjekje nga Musai për të bërë sa më mirë punën e davetit: