Select Page

– “E durojnë apo jo, Zjarri do të jetë Shtëpia e tyre, …” – Sigurisht, ata nuk do kenë mundësi që ta përballojnë dhe durojnë atë zjarr. Çdo gjë mund të përballohet dhe durohet, por jo zjarri i Xhehenemit. E si mund të durohet ai zjarr, që është shtatëdhjetë herë më i nxehtë se zjarri më i fortë i kësaj dynjaje. Xhehenemi vlon me një nxehtësi të tmerrshme. Era e çliruar prej tij është shumë e keqe dhe e papërballueshme. Edhe i ftohti i Xhehenemit është tejet i acartë. Prangat e tij janë shumë të rënda dhe të mëdha. Rojet e Zjarrit janë të ashpër, të vrazhdë dhe të pamëshirshmëm. Por më i rëndë se gjithçka është zemërimi i të Madhërishmit, Ngadhënjimtarit, dhe sidomos fjala që Ai u thotë të ndëshkuarve kur ata luten: “Heshtni, rrini aty të poshtëruar dhe mos flisni!”

– “… e nëse kërkojnë falje, nuk kanë për ta arritur.” – Pra, edhe nëse luten e përgjërohen që të shpëtohen nga ndëshkimi dhe të kthehen në dynja, me qëllim që të veprojnë ndryshe nga ajo që kanë bërë më parë, kjo assesi nuk do t’u pranohet. Koha kur njeriu mund të reflektojë dhe të ndryshojë sjelljet dhe punët e tij përfundon me vdekjen e tij. Allahu i Madhërishëm i jep njeriut jetë të mjaftueshme për të reflektuar dhe nxjerrë mësim. Gjithashtu, Ai ka sjellë profetë dhe shpallje hyjnore, që çdokush të gjejë rrugën e drejtë. Gjithsesi, ky pretendim i tyre është thjesht një gënjeshtër, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t’i mohonim Argumentat e Zotit tonë por do të bëheshim besimtarë.”Por, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” [En’am 27, 28].