Select Page

– “Ajo e dëshiroi fort atë, aq sa edhe ai do ta kishte lakmuar atë, sikur të mos shihte provën e Zotit të vet. Kështu, Ne vendosëm që të largonim prej tij të keqen dhe poshtërsinë. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” – Ajo që e ndaloi Jusufin të binte në këtë poshtërsi ishte devotshmëria ndaj Allahut të Lartësuar. Ai e respektonte madhështinë e Allahut të Lartësuar dhe i frikësohej Atij. Së dyti, Jusufi dinte të respektonte njerëzit, dhe sidomos ata që e kishin trajtuar mirë. Ai u kujdes që të mos shkelte nderin e zotërisë së tij, i cili e kishte mbajtur mirë për një kohë aq të gjatë. Devotshmëria kërkonte që Jusufi të ruhej nga padrejtësia, sepse i padrejti kurrë nuk shpëton.

Diçka tjetër që e shpëtoi Jusufin nga gjynahu ishte drita e imanit, që Allahu i Lartësuar kishte vendosur në zemrën e tij. Kjo dritë e detyron njeriun të zbatojë urdhëresat e Allahut të Lartësuar dhe t’u largohet ndalesave të Tij.  Megjithatë, ajo që i përmbledh të gjitha ato më sipër ishte mëshira dhe butësia e Allahut të Lartësuar me robin e Tij, duke ia larguar të këqijat dhe çdo shkak që të shtyn në poshtërsi.

Kështu vepron Allahu i Lartësuar me ata që janë të sinqertë në adhurimin ndaj Tij. E si të veprojë ndryshe, kur Allahu i Lartësuar i zgjedh ata mbi të tjerët për të qenë të devotshëm?! Ai i përzgjedh, i kompleton me cilësi të larta dhe largon prej tyre çdo gjë që i njollos. Kjo është mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar me robërit të cilët i nënshtrohen dhe tregohen të sinqertë ndaj Tij. Pa dyshim që ata janë më të zgjedhurit dhe më të dalluarit mes krijesave.