Select Page

– “E, nëse i ndani para se të kryeni marrëdhënie intime me to, por ndërkohë ua keni përcaktuar atyre masën e dhuratës martesore (mehrit), atëherë është detyrë për ju që t’u jepni gjysmën e asaj që keni caktuar …” – Pra, gratë që divorcohen para kryerjes së kontaktit seksual dhe pasi u është përcaktuar masa e mehrit, meritojnë që t’u jepet gjysma e mehrit të përcaktuar, ndërsa gjysma tjetër i takon burrit.

Ky është rregulli bazë në këtë çështje, i cili është i detyrueshëm të zbatohet, nëse nuk ka tolerime nga asnjëra palë. Por në rast se ka falje dhe tolerancë të ndërsjelltë, atëherë Allahu i Lartësuar ka lënë hapësirën për bamirësi, duke thënë:

  “… veç nëse ato (gratë) jua falin ose veç nëse atyre (grave) ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës.” – Pra, nga ky detyrim nuk shpëton askush, përveç dy rasteve:

1. Kur gruaja e divorcuar toleron dhe pranon që t’ia kthejë ish-burrit të saj gjysmën e mehrit të përcaktuar për të, duke ia dhuruar atij të plotë.

2. Kur burri toleron dhe ia lë të plotë mehrin ish-gruas së tij, duke i falur edhe gjysmën e vet, që i takon me ligj. Pra, pjesa: “…veç nëse ato jua falin” nënkupton gratë, ndërsa: “ata që kanë në dorë lidhjen e martesës” bën fjalë për burrat, sepse ata e kanë në dorë çështjen e martesës. Disa janë të mendimit se rasti i dytë i përjashtimit nga dispozita për përgjysmimin e mehrit flet për kujdestarin e vajzës, kur ai toleron dhe ia fal ish-bashkëshortit të saj të gjithë mehrin.

Por ky mendim është i dobët, sepse kujdestari i vajzës nuk ka kompetenca të tolerojë për një të drejtë që nuk i takon atij. Ai nuk është pronar i mehrit dhe as kujdestar i tij. Gjysma e mehrit është pronë e vajzës dhe jo e kujdestarit të saj. Kështu që mendimi më i saktë rreth kësaj pjese të ajetit është se ajo bën fjalë për ish-bashkëshortin e gruas.

“Falja është më afër devotshmërisë. Dhe mos e harroni  bamirësinë ndërmjet jush!” – Kështu, Allahu i Lartësuar i nxit adhuruesit për të qenë falës, tolerues dhe bamirës me njëri-tjetrin, duke na treguar se këto virtyte janë më pranë devotshmërisë. Në fakt, toleranca, bamirësia dhe falja janë shenja të devotshmërisë së njeriut. Ai i nxit adhuruesit për të tilla veprime, sepse ato janë bamirësi, dhe çdo bamirësi të zgjeron gjoksin dhe të qetëson zemrën.

Njeriu nuk duhet të lërë pas dore veprat e mira dhe humanizmin. Ai nuk duhet të shpërfillë sjelljen e mirë në marrëdhëniet shoqërore. Allahu i Lartësuar na kujton të jemi bamirës në këto marrëdhënie, sepse kjo është grada më e lartë e etikës shoqërore. Në plotësimin e të drejtave dhe përgjegjësive ndaj njëri-tjetrit, njerëzit ndahen në dy grada:

1. Ata që qëndrojnë striktë në respektimin e të drejtave dhe përgjegjësive ndaj njëri-tjetrit, pa bërë asnjë lëshim tjetër. Ky qëndrim është, gjithsesi, korrekt dhe i paqortueshëm.

2. Ata që tolerojnë, që falin dhe që tregohen bujarë ndaj tjetrit. Ata falin kur është fjala për plotësimin e disa detyrimeve të palës tjetër ndaj tyre. Ata japin edhe kur nuk e kanë të detyrueshme që të japin. Ata heqin dorë nga disa të drejta vetjake, për hir të mirësjelljes.

Kjo është një gradë shumë e lartë, që njeriu nuk duhet ta shpërfillë, qoftë edhe në disa raste të caktuara, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me njerëzit që ai haset e përzihet më shpesh. Allahu i Lartësuar do t’i shpërblejë bamirësit për sjelljen e tyre, me bujarinë e Tij të madhe:

“Vërtet, Allahu e sheh gjithçka që bëni.” – Pra, ai sheh çdo vepër tuajën dhe do t’iu shpërblejë me bujarinë dhe mirësinë e Tij.