Select Page

“Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë, me të cilat ende nuk keni kryer marrëdhënie dhe të cilave ende nuk ua keni përcaktuar e dhënë mehrin.” – Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë tuaja para se të keni kryer marrëdhënie seksuale me to dhe para se t’u keni përcaktuar mehrin. Kjo është e lejuar për ju, edhe pse i lëndon disi gratë nga gjendja shpirtërore. Por për të zbutur këtë lëndim, Allahu i Lartësuar i urdhëron burrat që t’i nderojnë këto gra, duke u falur diçka prej pasurisë së tyre. Thotë i Lartësuari:

“Jepuni atyre ndonjë dhuratë: pasaniku – sipas mundësive të tij, dhe i varfëri – sipas mundësive të tij.” – Jepuni atyre diçka prej pasurisë, si zbutje të ndonjë lëndimi që mund t’u keni shkaktuar atyre. Çdokush le të japë sipas mundësisë dhe sipas zakonit të atij vendi e atij populli, siç thotë i Lartësuari:

– “Dhurata për to sipas zakonit është detyrë për bamirësit.” – Domethënë, me një furnizim sipas zakonit e traditës së njohur nga njerëzit. Ky veprim është një detyrë për bamirësit, të cilët nuk duhet të hezitojnë kurrë për plotësimin e kësaj dispozite. Burri është ai që i kërkon gruas në fillim ta lidhë zemrën me të dhe që bëhet shkak që ajo ta dojë burrin e saj. Për këtë arsye, tani që ai bëhet shkak për ta ndërprerë këtë dashuri, po ashtu duhet që ta lehtësojë lëndimin e zemrës së saj, duke i dhuruar diçka nga pasuria e vet.

Subhanallah! Sa madhështore është kjo dispozitë hyjnore! Ajo është vërtet një tregues i qartë i mëshirës së Atij që e përcaktoi atë! E ku ka ligjvënës më të mirë se Allahu, për ata njerëz që kanë siguri në premtimin e Tij! Ky qe rregulli që lidhej me gratë e divorcuara para përcaktimit të mehrit të tyre dhe para kontaktit seksual me to. Më pas, Allahu i Lartësuar sjell dispozitën rreth atyre grave të divorcuara, me të cilat nuk është kontaktuar seksualisht, por që u është përcaktuar mehri. Kështu, i Lartësuari thotë: