Select Page

– “Nuk është gjynah për ju, nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj. Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre (dëshirën për martesë) …” Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar sjell një gjykim për gratë të cilave u kanë vdekur burrat dhe që janë në kohëpritjen e tyre. Ky gjykim vlen edhe për gratë e divorcuara për herë të tretë (pra me talak bain), që janë në kohëpritje. Pra, nuk i lejohet asnjë burri që t’u shfaqë këtyre dy kategorive të grave propozimin për martesë në mënyrë  të drejtpërdrejtë. Më tej, i Lartësuari thotë:

“… por mos u premtoni fshehurazi …” – Pra, nuk lejohet që grave të këtyre dy kategorive t’u shprehet hapur propozimi për martesë, gjatë kohës së pritjes së tyre, por hedhja e propozimit në mënyrë indirekte është e tolerueshme nga Allahu i Lartësuar, sikurse kuptohet nga ajeti. Mes dy rasteve ka ndryshim. Nëse dikush i propozon hapur për martesë një gruaje të tillë, kjo sjell shumë probleme.

Për shembull, kjo mund ta shtyjë gruan që ta përshpejtojë qëllimisht përfundimin e kohëpritjes së saj, duke gënjyer se i kanë mbaruar të trija ciklet e periodave të saj, e kështu të martohet me tjetrin. Kjo, sigurisht, që është një padrejtësi e madhe në shumë aspekte. Së pari, në këtë mënyrë, gruaja shkel të drejtën e burrit të saj të parë, duke mos plotësuar kohën e pritjes për të. Së dyti, ajo bashkohet me dikë tjetër para kohës kur i lejohet një gjë e tillë, prandaj kjo martesë e dytë quhet e parregullt dhe e paligjshme.

Përveç këtyre që përmendëm, ka edhe shumë pasoja të tjera. Ky ajet dëshmon për rëndësinë që i jep Sheriati ndalimit të së keqes dhe rrugëve të saj. Në Islam është e ndaluar jo vetëm e keqja, por edhe rrugët e mjetet që të çojnë tek ajo. Një rregull i madh i Islamit thotë: “Çdo mjet dhe rrugë që të çon në haram është haram.” Ky ajet, gjithashtu, tregon për rëndësinë e madhe që Sheriati u kushton të drejtave dhe përgjegjësive bashkëshortore në Islam. Fjalët e tërthorta, që e nënkuptojnë propozimin, nuk janë të ndaluara, sepse ato mund të kuptojnë edhe gjëra të tjera, përveç martesës:

– “… përveç ndonjë fjale të lejueshme …” – Fjalë të tilla janë, për shembull: “Unë do të doja të martohesha këto kohë”, ose: “Kur të mbarosh pritjen, do të doja të flisnim bashkë për diçka”, etj. Allahu i Lartësuar e ka lejuar propozimin e tërthortë, sepse ai nuk sjell dëmet që shkakton propozimi i drejtpërdrejtë. Ndërhyrjet jo të drejtpërdrejta janë lejuar, sepse shpirti i njeriut i kërkon me ngut të tilla çështje. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka lënë një lloj hapësire, që njerëzit të përmbushin kërkesat e tyre të forta në këtë aspekt. Ai na tregon se nuk kemi gjynah për dy gjëra: “…nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj”.

– Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre (dëshirën për martesë), – Allahu i Lartësuar e di shumë mirë çdo dëshirë të njerëzve për t’u lidhur në martesë, por – sikurse u tha më lart – nuk lejohet propozimi i qartë dhe i drejtpërdrejtë për martesë ndaj grave që janë në pritje. Në fakt, ato që lejohen janë vetëm fjalët e tërthorta, brenda normave të Sheriatit. Ndërsa për sa i përket nënshkrimit të aktit të martesës, ai nuk lejohet absolutisht, para se të përfundojë koha e pritjes, siç thotë i Lartësuari:

“Mos lidhni martesë, derisa të përfundojë afati i pritjes së tyre (id-deh).” Pra, nuk lejohet në asnjë mënyrë lidhja e martesës së re para mbarimit të kohës së pritjes.

– “Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në zemrën tuaj, prandaj kini kujdes prej Tij!” – Jini të kujdesshëm në çdo gjë që doni të bëni. Synoni të mirën dhe largojuni qëllimeve të këqija. Këtë ta bëni duke shpresuar shpërblimin e Zotit dhe duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij.

– “Dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh dhe i Butë.” – Allahu është Falës i madh (Gafûrun) i çdokujt që bën të tilla gabime, por që kthehet i penduar dhe i kërkon falje Zotit të tij. Ai është i Butë (Halîm), që nuk nxitohet të ndëshkojë të pabindurit dhe gjynahqarët për të këqijat e tyre, edhe pse është i Plotfuqishëm për t’i ndëshkuar ata.