– “Kur t’i keni ndarë gratë dhe ato të kenë përmbushur afatin e tyre të pritjes (id-deh), mos i pengoni që të rimartohen me burrat e tyre, nëse ka pëlqim mes çiftit, ashtu si e kërkojnë rregullat …” – Ky ajet u drejtohet kujdestarëve ligjorë të grave të divorcuara. Allahu i Lartësuar nuk i lejon ata që, pas mbarimit të kohëpritjes, ta ndalojnë gruan të martohet përsëri me burrin nga i cili është ndarë, nëse bien dakord mes tyre.
Pas ndarjes, babai apo vëllai i gruas, nga zemërimi, mund të duan që ta pengojnë vajzën të rimartohet me të njëjtin burrë. Por Allahu i Lartësuar i ndalon ata nga një veprim i tillë, nëse burri dhe gruaja bien dakord që të rimartohen. Madje kjo lloj ndalese është shumë e fortë, sepse Allahu i Lartësuar thotë:
– “… nga të cilat përfitojnë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në Botën Tjetër.” – Pra, kush beson në Allahun dhe në Ditën e Llogarisë nuk e pengon femrën që të rimartohet me ish burrin e saj, nëse ata të dy bien dakord për rikthimin e normalitetit. Madje kjo është më e pastër dhe më e mirë për ata, siç thotë Allahu i Lartësuar:
– “Kjo është më e dobishmja dhe më e pastra për ju.” – Kjo është më e mirë dhe më e drejtë për ju. Pra, kujdestari i vajzës të mos mendojë aspak se ndalimi i rimartesës së saj me bashkëshortin e dikurshëm është veprim i drejtë dhe i mirë. Madje, të tilla qëndrime vijnë shpeshherë nga fodullëku i njerëzve, por Allahu i Lartësuar dëshiron të mirën dhe lehtësimin e adhuruesve të Tij.
– “Allahu e di e ju nuk e dini.” – Askush të mos mendojë se moslejimi është më i drejtë, sepse Allahu, i Cili e ka lejuar rimartesën e gruas me ish burrin e saj, është më i ditur rreth mirësive dhe drejtësisë, ndërsa ne jemi të paditur. Kush e di më mirë se cila është më e drejta dhe më e dobishmja për ne? Kush është ai që më së shumti i dëshiron ato për ne? Kush është i plotfuqishëm për të na i dhuruar dhe për të na i ruajtur ato? Vetëm Allahu mund t’i bëjë të gjitha këto për ne, me mënyra që ne i njohim ose jo. Ky ajet është argument për domosdoshmërinë e lejes së kujdestarit të vajzës për saktësinë e martesës.
Pra, leja e kujdestarit të vajzës është e domosdoshme, që martesa të jetë e saktë dhe e ligjshme. Si kuptohet kjo nga ajeti? Kjo kuptohet nga fakti që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar kujdestarët e vajzës nga pengimi i rimartesës së saj me ish burrin, dhe ndalesa mund të ishte veçse për diçka që është në kompetencën e tyre. Thënë ndryshe, nëse leja e tyre për martesën e vajzës nuk do të ishte e rëndësishme në martesë, atëherë nuk kishte pse të ndaloheshin nga kjo gjë. Allahu i Lartësuar i ndalon ata të pengojnë vajzën që të martohet, sepse leja e tyre është kusht për saktësinë e martesës.