Pasi na ndaloi nga idhujtaria, Allahu i Madhëruar na urdhëron për njësimin e Tij:
– “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni asnjë (dhe asgjë) tjetër përveç Tij …” – Ai ka përcaktuar me ligj që të mos adhuroni veç Tij asnjë e asgjë prej krijesave të qiellit e tokës, prej të gjallëve e të vdekurve. Allahu ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë, sepse Ai është Një i vetëm, i pashoq. Ai është Es-Samed – Ai që, të gjitha krijesat i drejtohen e luten për nevojat e tyre.
Çdo cilësi dhe atribut i Allahut është absolut, që nuk mund t’i afrohet në përshkrimin me të askush prej krijesave. Allahu është Bamirësi, që ka përfshirë me bamirësinë e Tij gjithçka. Ai është dhuruesi i të gjitha mirësive të dukshme dhe të padukshme. Allahu është mbrojtësi nga të gjitha ligësitë e fatkeqësitë. Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Rregulluesi e Ai që përkujdeset për të gjitha çështjet e krijesave.
Ai është i vetëm në të gjitha këto atribute, ndërsa çdo gjë tjetër është krijesë e varfër, që nuk ka asgjë në dorë. Pasi foli për të drejtën e Vet, i Madhëruari flet për të drejtën e prindërve, si një nga detyrimet më të mëdha të njeriut, që duhet respektuar dhe përmbushur.
– “… dhe të silleni mirë ndaj prindërve.” – Tregohuni bamirës ndaj tyre me të gjitha mënyrat dhe format e bamirësisë, me fjalë, me sjellje dhe vepra. Mos e harroni asnjëherë se ata janë sebepi i ardhjes suaj në këtë jetë. Ata i dhurojnë fëmijës dashurinë më të madhe. Ata janë njerëzit më të afërt për njeriun, për të cilët ai ka detyrimin më të madh për t’u bërë mirë e për t’u kujdesur. Allahu i Lartësuar thotë:
– “Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, …” – Kjo është mosha kur njeriu dobësohet dhe ka nevojë për butësi, ngrohtësi e dashuri. Prandaj i Lartësuari na ka urdhëruar e thotë:
– “… atëherë mos u thuaj atyre as “of”…” – Më e pakta e bamirësisë dhe mirësjelljes me prindërit e moshuar është që të mos u thuash këto fjalë. Pra, jini të kujdesshëm, o njerëz, dhe mos shkaktoni atyre as më të voglin mundim! Sigurisht, mundimet më të mëdha janë edhe më të ndaluara nga Zoti.
– “… e as mos u sill vrazhdë ndaj tyre, …” – Mos u trego i vrazhdë e mos u fol me ashpërsi.
– “… por thuaju vetëm fjalë të mira!” – Thuaju fjalë të ëmbla, që i kënaqin ata! Tregohu me edukatë, i butë, i ngrohtë dhe i dashur me ta! Gjithmonë thuaju fjalë të ngrohta, që ua kënaqin dhe qetësojnë zemrën! Sigurisht, këto fjalë duhen dhënë në varësi të kohës, vendit e njerëzve, larg shtirjeve e teprimit të panevojshëm.