– ”Por ti (o Muhamed) mos u brengos për ndonjë që nuk beson!” – Sepse ti e përmbushe atë që kërkohej prej teje. Prej teje kërkohet që t’i ftosh në rrugën e Allahut dhe t’u kumtosh qartë shpalljen e Tij. Shpërblimi i Allahut do të jepet i plotë për plotësimin e detyrës tënde. Nuk ka arsye për t’u trishtuar e dëshpëruar. Nëse njerëzit nuk pranojnë udhëzimin e Zotit, gjithmonë duhet të kujtosh se, nëse do të kishte ndonjë mirësi në ta, Allahu i Lartësuar do t’i kishte udhëzuar në rrugën e drejtë.
Gjithashtu, nuk ka pse të shqetësohesh për faktin se ata marrin guximin të shprehin armiqësinë dhe urrejtjen kundër teje dhe për faktin se vazhdojnë të zhyten thellë e më thellë në mohimin dhe vetmashtrimin e tyre. As mos u shqetëso pse po vonohet ndëshkimi mbi ta, sepse:
– ”Tek Ne do të kthehen të gjithë dhe Ne do t’u tregojmë gjithçka që ata kanë bërë.” – Allahu do t’i dënojë ata për mohimin e besimit të vërtetë, për armiqësinë e tyre dhe luftën kundër të vërtetës. Ai do t’i dënojë për çdo përpjekje që bëjnë për të shuar dritën e Allahut dhe për mundimin që i kanë shkaktuar Profetit të Tij.
– ”Allahu e di mirë atë që fshihet në zemra.” – Ai e di mirë atë që fshihet në gjoks dhe që njeriu nuk e ka shfaqur haptazi. Atëherë, si mendon ti për ato që njeriu i shfaq haptazi?