Select Page

– “O ju që keni besuar! Mos i mbani për miq (e aleatë) prindërit dhe vëllezërit tuaj, nëse ata parapëlqejnë mosbesimin kundrejt besimit!” – O besimtarë, punoni sipas normave të besimit tuaj! Ju duhet të keni miq dhe të ndihmoni ata që besojnë, punojnë dhe jetojnë sipas besimit të drejtë. Nga ana tjetër, nuk duhet të miqësoheni e të mbështesni ata që e mohojnë fenë tuaj, por përkundrazi, duhet t’i konsideroni si armiq ata.

Madje, edhe prindërit apo vëllezërit tuaj, të cilët janë njerëzit më të afërt, nuk duhet t’i keni aleatë nëse preferojnë mohimin kundrejt besimit. Kështu, nëse kjo kërkohet të bëhet me njerëzit më të afërt, atëherë për të tjerët, që janë më të largët, kjo porosi është më parësore. Nëse ata kënaqen me kufrin kundrejt imanit, ata nuk meritojnë dashurinë, miqësinë, mbështetjen dhe aleancën tuaj. Madje, ai që i miqëson dhe i mbështet ata, konsiderohet zullumqar.

  “Çdokush prej jush që miqësohet me ta, është, vërtet keqbërës.” – E si mund të mbështesë besimtari ata të cilët kanë guximin dhe paturpësinë që të mos i binden Allahut dhe të harrohen në poshtërsira?! Përveç kësaj, ata bashkëpunojnë me armiqtë e Allahut, duke shfaqur dashuri dhe përkushtim për ta. Kjo do të thotë se ata i japin përparësi bindjes ndaj këtyre aleatëve mohues, kundrejt bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut të Madhëruar; i japin përparësi dashurisë për miqtë e tyre qafirë, kundrejt dashurisë për Allahun dhe besimtarët e vërtetë të Tij.

Prandaj, në vijim Allahu i Madhëruar përmend shkakun pse duhet të mos i kemi miq e aleatë jobesimtarët, kushdo qofshin ata. Ajeti thotë se në bazë të këtij gjykimi është dashuria për Allahun dhe Profetin e Tij. Kjo ndjenjë duhet të bëjë ndarjen e miqve nga armiqtë. Dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Tij duhet të tejkalojë çdo lloj dashurie tjetër. Çdo dashuri tjetër duhet të jetë ndjekëse dhe në varësi të dashurisë për Allahun dhe Profetin e Tij. 82

82 Kushdo që studion më vëmendje gjendjet dhe situatat e kësaj bote, mund ta hasë shpesh këtë dukuri, sidomos ndër ata që janë në shërbim të udhëheqësve e parisë, ata që i ndihmojnë të arrijnë qëllimet e tyre të sëmura e të prishura. Të tillë janë edhe ata që ndihmojnë dhe u shërbejnë bidatçinjve, nga frika e ndëshkimit prej tyre.

Por ata të cilët i ka udhëzuar Allahu dhe u ka hapur sytë të shohin rrugën e qartë, duke i ruajtur nga e keqja e vetes së tyre, ata tregohen të kujdesshëm dhe distancohen nga çdo solidarizim me të padrejtët, nga çdo përkrahje e haramit, dhe durojnë armiqësinë e tyre. E, pa dyshim, kësaj kategorie i takon përfundimi më i bukur dhe më i lumtur në këtë jetë dhe tjetrën, sikurse ndodhi me profetët dhe pasuesit e denjë të tyre, siç ndodhi me muhaxhirët dhe ensarët, me dijetarët e sprovuar, me adhuruesit e denjë, vepërmirët, tregtarët e ndershëm etj. Zad el mead vëll 3.