Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar përmendi argumentet dhe ajetet e Tij, nëpërmjet të cilave këshillon dhe kujton robërit e Tij për çështje të rëndësishme. Mes këtyre shenjave dhe argumenteve, Ai përmend Kur’anin që ia shpalli Muhamedit (a.s). Në vijim, Ai na tregon se shpallja e Librit nuk është diçka e re dhe e panjohur për njerëzit. Po kështu, edhe dërgimi i një profeti me Libër të ndritur nuk është diçka e re, që nuk ka ndodhur më parë.
Më herët Allahu i Madhëruar dërgoi Musain dhe i dha atij Teuratin, në të cilin ka përgëzime të shumta edhe për ardhjen e Muhamedit dhe përshkrime të Kur’anit. Nga ana tjetër, edhe Kur’ani është vërtetues i Teuratit dhe i profetësisë së Musait. Kështu, profetët dhe librat e Zotit vërtetojnë, mbështesin dhe përputhen me njëri-tjetrin. Kjo tregon se ata janë nga i njëjti burim dhe se janë të vërtetë prej Zotit.
– ”Ne edhe Musait i patëm dhënë Librin më parë. Prandaj, ti (O Muhamed) mos ki dyshim në takimin (e Musait) me Të (me Zotin)!” – Argumentet e së vërtetës dhe shenjat e qarta të saktësisë kanë ardhur në të gjitha shpalljet e Zotit, prandaj nuk ka vend për dyshime dhe hezitim.
– ”Ne e bëmë Atë (librin e Musait) udhëzim (dhe dritë) për bijtë e Izraelit.” – Librin që i dhamë Musait, Teuratin, e bëmë udhëzim (dhe dritë) për bijtë e Izraelit. Përmes tij, ata gjenin rrugën dhe dritën për të njohur themelet e fesë dhe besimit, si dhe sqarime të hollësishme, që i shkonin asaj epoke e vendi kur jetuan bijtë e Izraelit. Ajo shpallje ishte e veçantë vetëm për popullin e bijve të Izraelit. Ndërsa Kur’anin e madhërishëm,
Allahu i Madhëruar e bëri udhëzim dhe dritë për të gjithë njerëzit dhe popujt. Ai është udhëzim për të gjitha krijesat që ato të gjejnë dritën dhe udhën e drejtë në të gjitha çështjet e tyre, si në çështjet e dynjasë, ashtu edhe të fesë dhe besimit të tyre, deri në Ditën e Kijametit. Kur’ani është shpallur për të gjithë njerëzimin, në çdo kohë dhe në çdo vend, sepse është një udhëzim dhe dritë e plotë, që qëndron mbi çdo fjalë dhe udhëzim tjetër, siç thotë i Madhëruari: “Nuk ka dyshim se në Pllakën e Ruajtur (Levhi Mahfudh) te Ne, ai (Kur’ani) është i lartë dhe plot urtësi.” [Zuhruf 4].