– ”Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira vendosen në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, me lejen e Zotit të tyre.” – Këta janë njerëzit që e zbatojnë dhe plotësojnë fenë, përmes fjalëve, veprave dhe besimit në zemrat e tyre. Për këta i Madhëruari premton se do t’i fusë: “…në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, me lejen e Zotit të tyre”.
Në to janë fshehur kënaqësi dhe bukuri të shumta, të cilat syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e askujt nuk i ka përfytyruar. Ata do të jenë të përjetshëm në të. Këto mirësi ata i përfitojnë me lejen e Zotit dhe jo me forcën dhe mundin e tyre; domethënë, kjo është dhuratë dhe mirësi nga Allahu i Lartësuar.
– ”Përshëndetja e tyre atje është “Selam!”. – Të gjithë banorët e Xhenetit do të përshëndesin njëri-tjetrin me selam dhe fjalë të mira. Paqja do t’i përfshijë në çdo drejtim.