Select Page

Kurrë mos u bëj pjesë e atij besimi që thotë se ndonjë prej krijesave meriton të adhurohet dhe mos i bëj shok Zotit ndonjë nga këto krijesa! Kjo është një vepër e ulët dhe e dënueshme, që sjell veçse poshtërim e ndëshkim. Vetë Allahu i Madhëruar, melekët e Tij dhe të gjithë të dërguarit e Tij e kanë ndaluar idhujtarinë dhe i kanë kërcënuar ashpër ata që bëjnë vepra idhujtarie. Idhujtarët kanë cilësitë më të shëmtuara. Çdo njeri që lidhet me dikë tjetër veç Allahut ka për t’u dëshpëruar dhe do të braktiset nga idhulli i tij.

Në varësi të braktisjes së besimit të vërtetë dhe mosmbështetjes tek Zoti do të jetë edhe braktisja dhe dështimi i këtyre njerëzve. Ai që e lidh zemrën me diçka tjetër veç Zotit, ka për t’u lënë në mëshirën e asaj që ia ka dorëzuar zemrën, pra, ka për të përfunduar i pashpresë, i dështuar, i braktisur e pa përkujdesin e Zotit, sepse dihet se asnjë krijesë nuk mund t’i sjellë dobi një krijese tjetër, pa lejen e Zotit.

Nga ajeti kuptohet qartë se, çdokush që lidhet me diçka tjetër veç Zotit është i dështuar dhe ka për të mbetur i braktisur dhe pa ndihmën e Zotit. Por kuptohet gjithashtu, se çdokush që ia përkushton fenë, besimin dhe adhurimet me sinqeritet vetëm Allahut dhe e lidh zemrën veçse me Të dhe me askënd tjetër veç Tij, ai ka për të qenë i lavdërueshëm, i ndihmuar e mbështetur nga Zoti, në të gjitha çështjet dhe gjendjet e tij.