Select Page

– ”Kur gjithçka të jetë vendosur, Shejtani do të thotë: “Qe Allahu që ju kishte bërë premtimin e vërtetë. Edhe unë ju premtova, por unë nuk e mbajta premtimin.” – Shejtani i mallkuar është shkak i çdo ligësie që ka rënë dhe vazhdon të bjerë në botë. Në ditën e gjykimit kur çështja të ketë marrë fund dhe banorët e Xhenetit të jenë futur në xhenet dhe banorët e zjarrit të jenë futur në zjarr, shejtani i mallkuar do t’u drejtohet banorëve të zjarrit duke shprehur njëkohësisht dhe distancimin e tij prej tyre e do t’u thotë: “Qe Allahu që ju kishte bërë premtimin e vërtetë.”

Këtë Ai e bëri përmes profetëve të Tij dhe shpalljeve që solli me ta. Por ju nuk ju bindët Atij dhe nuk u nënshtruat të jetonit sipas ligjit të Tij. Nëse do të ishit bindur ju do të kishit arritur mirësitë më të mëdha. Pastaj u thotë: “Edhe unë ju premtova, por unë nuk e mbajta premtimin.” Pra edhe unë ju premtova të mira por e theva premtimin tim. Ju nuk e patët arritur atë që e shpresuat dhe kurrë nuk keni për ti parë të realizohen ëndrrat tuaja të kota.

– ”Unë nuk pata fuqi imponuese ndaj jush, përveçse t’ju bëja thirrje, por ju më dëgjonit.” – Pra unë nuk kisha asnjë lloj argumenti që të mbështeste fjalën dhe premtimet e mija përveç faktit që unë ju ftova dhe ju mu përgjigjët. Unë ju ftova për të pasuar qëllimet e mia dhe jua zbukurova ato në zemrat tuaja dhe ju i’u përgjigjët ftesës sime duke pasuar epshet dhe dëshirat tuaja të shfrenuara.

– ”Për këtë arsye, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk mund të jem shpëtimtari juaj e as ju nuk mund të jeni shpëtimtarët e mi. – Ju jeni shkaktarë për devijimin e vetes tuaj, prandaj e keni bërë të meritueshëm ndëshkimin. Ne të gjithë po vuajmë një ndëshkim, që e kemi merituar vetë. As unë nuk ju ndihmoj dot për t’jua lehtësuar dhimbjet, dhe as ju nuk mund të më ndihmoni mua. Çdokush do të marrë pjesën e vet të ndëshkimit të merituar.

– ”Unë distancohem nga shirku juaj në të shkuarën.” – Kuptimi: Unë distancohem nga ju dhe nga fakti që më keni konsideruar si ortak me Allahun. Allahu nuk ka ortak dhe ju jeni treguar të padrejtë kur më jeni bindur.

– ”Nuk ka dyshim, jobesimtarët kanë një dënim të dhembshëm.” – Të gjithë ata që i bënë padrejtësi vetes duke iu bindur shejtanit do të kenë dënim të dhembshëm dhe të përjetshëm. Allahu i Lartësuar i ka sjellë këto ajete si mëshirë dhe butësi për robërit e Tij. Ai i paralajmëron ata që të mos i binden shejtanit. Allahu i Lartësuar i mëson robërit e Tij se nga cilat porta u hyn shejtani i mallkuar dhe cilat janë qëllimet e zeza të tij. Ai na mëson se shejtani i mallkuar synon që t’i tërheqë të gjithë në Zjarr.

Allahu i Lartësuar na tregon se kur shejtani i mallkuar dhe pasuesit e tij të hyjnë në Zjarr, Ai do të distancohet prej pasuesve dhe do t’ua mohojë përkrahjen dhe mbështetjen që ata i kanë ofruar, duke iu bindur në jetën e dynjasë. Të gjitha këto janë lajme të sjella nga i Gjithëdituri. Allahu i Madhëruar na tregon, gjithashtu, se shejtani i mallkuar nuk ka fuqi imponuese mbi njerëzit. Në një ajet tjetër thuhet: “Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i janë mbështetur. Ai mund të kontrollojë vetëm ata që e përkrahin atë dhe ata që, për shkak të tij, bëhen idhujtarë.” [Nahl 100].

Në rastin e parë flitet për pushtetin e argumentimit dhe të fakteve. Kështu, shejtani i mallkuar nuk ka asnjë fakt për të vërtetuar rrugën e vet për pasuesit. E shumta që mund të arrijë është hedhja e dyshimeve dhe zbukurimi i të keqes, duke i bërë pasuesit që të marrin guximin ose të mashtrohen për të mos iu bindur Zotit. Kurse në rastin e dytë kemi të bëjmë me forcën për të mashtruar dhe për t’i nxitur pasuesit të bëjnë poshtërsi.

Shejtani i shtyn njerëzit në gjynahe, duke mos i lënë të qetë asnjë çast. Në fakt, janë vetë ata që e lejojnë shejtanin t’i kontrollojë, duke u miqësuar dhe duke u bërë palë me të. Mbi këta njerëz ka pushtet ai i mallkuar, duke i bërë të mos i binden Allahut të Lartësuar. Ndërsa për ata që besojnë Zotin e tyre dhe vetëm Atij i mbështeten, kundër këtyre shejtani i mallkuar nuk ka asnjë lloj fuqie e kontrolli. Pasi përmendi ndëshkimin e të padrejtëve, Allahu i Madhëruar përshkruan shpërblimin e të bindurve: