– “Disa thonë: “Ishin tre dhe i katërti ishte qeni”. (Të tjerë) thonë: “Ishin pesë dhe i gjashti ishte qeni.”. Këto janë hamendësi. Ka (edhe të tjerë) që thonë: “Ishin shtatë dhe i teti ishte qeni.” – Allahu i Madhëruar na njofton se ithtarët e Librit kishin mospajtime rreth numrit të djemve, kundërshtim ky që e ka burimin në të folurit pa dije dhe në supozimet e pabaza për çështjet e panjohura. Tre ishin mendimet e tyre:
– Disa thanë se ata ishin tre të rinj dhe bashkë me qenin bëheshin katër.
– Të tjerë thanë se ishin pesë të rinj dhe i gjashti ishte qeni. Për këto dy mendime, Allahu i Madhëruar thotë se ata i kanë thënë duke hamendësuar, pa fakte dhe pa dije. Prandaj si të tilla, ato bien poshtë.
– Ndërsa disa thanë se ishin shtatë të rinj dhe i teti ishte qeni. Ky ishte mendimi më i saktë, sepse Allahu i hodhi poshtë dy mendimet e para, por nuk e bëri për të tretin. Megjithatë, Allahu e di më së miri. Ky është një lloj debati që nuk ka dobi. Njohuria rreth kësaj çështjeje nuk u sjell ndonjë dobi njerëzve, as fetare dhe as jofetare, prandaj Allahu i Madhëruar thotë:
– “Thuaj: “Zoti im e di më së miri numrin e tyre. Janë vetëm pak që e dinë çështjen e tyre.” – Veç një pakicë e dinë të saktën, por Allahu i madhëruar thotë:
– “Prandaj mos polemizo për ta (o Muhamed), përveçse me atë që është e qartë, …” – Mos polemizo me ithtarët e Librit (të krishterë e jehudë) për tjetër, veçse për çështje të rëndësishme, për të cilat ke dituri të sigurt. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, bëje këtë vetëm nëse nga diskutimi ka dobi dhe pritet ndonjë rezultat.
Çdo polemikë që nuk i plotëson këto dy kushte është e kotë, që nuk e meriton të thellohesh, por është thjesht humbje kohe dhe lodhje e mendjes. Kjo ndodh, për shembull, kur tema është e parëndësishme nga ana fetare, siç është njohja e numrit të këtyre djemve të shpellës, ose kur bashkëbiseduesi është thjesht një inatçor, që nuk ka për qëllim njohjen e të vërtetës, por thjesht për të kundërshtuar të vërtetën.
– “… dhe mos pyet askënd për ta!” – Për sa i përket çështjes së djemve të shpellës, mos pyet ehli kitab-ët, sepse ata e bazohen thjesht në hamendësime, që nuk kanë aspak lidhje me të vërtetën. Nga ajeti mësohet se është e ndaluar të pyesësh për çështje feje dikë që nuk është i denjë për këtë detyrë. Shkaqet që e bëjnë një njeri jo të denjë për këtë, mund të jenë nga më të ndyshmet, si p.sh.:
– Është i paditur dhe jo i aftë për këtë përgjegjësi.
– Është i pakujdesshëm në atë që thotë dhe i papërmbajtur ndaj gënjeshtrës, edhe pse mund të ketë dije rreth asaj që pyetet. Kështu, fetvaja jepet vetëm nëse bazohet në dituri, besnikëri, përgjegjësi dhe vërtetësi. Megjithatë, mund të ndodhë që dikujt t’i ndalohet të japë fetva për një fushë të caktuar dhe t’i lejohet në një fushë tjetër, sepse ajeti nuk na ndalon në mënyrë absolute. E rëndësishme është plotësimi i kushteve për këtë çështje.