– ”Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. – Kur gjithë ato ushtri ishin përballë tyre dhe gati të sulmonin, pikërisht atëherë kur frika pushton edhe zemrat e burrave, këta të zgjedhur thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan…”
Këtë premtim ata e kishin lexuar në fjalën e Allahut kur thotë: “A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u sprovuar si ata që ishin para jush?! Ata u sprovuan nga vuajtje e fatkeqësi dhe ishin kaq të tronditur, sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?” Po. Vërtet, ndihma e Allahut është (gjithmonë) afër!” [Bekare 214].
Pastaj thanë: “dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. Ne po e shohim me sy atë që Zoti na pati lajmëruar se do të ndodhë. Allahu i Madhëruar na tregon për këta trima në vijim:
– ”Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu).” – Kjo përballje ua mbushi zemrat me iman dhe ua forcoi trupin, për të përmbushur urdhrin e Allahut dhe të luftonin për çështjen e Tij. Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na tregoi se munafikët i premtuan dhe i dhanë besën Atij se nuk do t’i kthenin shpinën, por e shkelën besën e dhënë. Ndërsa në këto ajete, Ai na tregon se besimtarët e mbajtën premtimin e dhënë. Ai thotë: