Select Page

– ”Vërtet, i Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmendin shumë shpesh Allahun.” – Ai e dha këtë shembull të mirë kur mori pjesë edhe vetë në këtë luftë. Ai ishte vetë në vendin e luftës, madje më i fismi e i nderuari, më trimi dhe guximtari. Atëherë, si është e mundur që ju t’i shmangeni dhe të tregoheni koprracë me veten tuaj, kur vetë Profeti i Allahut e ofroi veten e tij në këtë luftë? Ju duhet ta merrni atë si shembull në këtë çështje dhe në çdo çështje tjetër.

Dijetarët e usul fikh-ut e kanë marë këtë ajet si dëshmi që tregon se veprat e Profetit (a.s) janë dhe konsiderohen si provë edhe për umetin. Rregulli thotë se dhe umeti i tij duhet t’u përmbahet këtyre veprave, vetëm në rastet kur një provë tjetër tregon se ajo vepër ka qenë detyrë ose e pëlqyeshme vetëm për Profetin. Shembulli që ndjekin njerëzit është i mirë ose i keq. Shembulli i mirë është Profeti (a.s). Ai që e merr si shembull Profetin e Zotit, ai ka ndjekur rrugën që të çon në shpërblimin e madh të Zotit dhe nderimet e Tij të shumta. Pikërisht kjo është rruga e drejtë.

Ndërsa çdo shembull tjetër, nëse bie ndesh me rrugën dhe traditën e tij, ai është një shembull i keq. Kjo i ngjan pasimit të verbër që mohuesit u bëjnë të parëve të tyre të devijuar dhe të humbur. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”. [Zuhruf 23].

Por cilit i jepet mundësia që ta pasojë shembullin e mirë? Kjo i jepet veçse atij që shpreson shpërblimin e Allahut dhe daljen faqebardhë në Ditën e gjykimit. Ai e ka zemrën të mbushur me iman dhe frikë për Zotin, me shpresë për shpërblimin e Tij, me frikë nga ndëshkimi i Tij. Të gjitha këto e nxitin dhe e forcojnë atë për të ndjekur rrugën e Profetit, duke e patur atë si shembull. Pasi përshkroi gjendjen e munafikëve gjatë momenteve të frikës, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e besimtarëve dhe qëndrueshmërinë e tyre. Ai thotë: