Select Page

“Shpejtoni që të fitoni faljen prej Zotit tuaj dhe Xhenetin, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e Tokës…” – Kjo arrihet duke plotësuar ato që Zoti i ka bërë si sebep për falje gjynahesh, si: pendimi i sinqertë, kërkimi i faljes në mënyrë të rregullt, largimi nga gjynahet dhe çdo shteg që të shpie te gjynahet. Ajo arrihet, gjithashtu, duke nxituar në kënaqësinë e Allahut nëpërmjet veprave të mira dhe duke i dhënë rëndësi në mënyrë të vazhdueshme çdo gjëje që e kënaq Allahun.

Gjithmonë duhet të përpiqesh për të qenë në shkallën më të lartë të ihsan-it qoftë në drejtim të adhurimit të Allahut, qoftë në drejtim të bamirësisë ndaj krijesave. Më pas, i Madhëruari tregon veprat që e bëjnë të mundur këtë mirësi të madhe:

“…dhe që është përgatitur për ata që i besojnë Allahut dhe të dërguarve të Tij!” – Besimi tek Allahu dhe profetët e Tij nënkupton bindjen ndaj porosive të tyre, ku bëjnë pjesë themelet e fesë dhe degëzimet e saj.

– “Ai është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë. Allahu është Dhurues i madh.” – Shpjegimi i qartë i këtyre çështjeve është mirësi e Allahut, që ia jep atij që Ai dëshiron. Në Kur’an, i Madhëruari qartësoi rrugën që të çon në Xhenet dhe rrugët që të çojnë në Xhehenem. Mundësia për t’i kuptuar e mësuar këto rrugë është mirësi e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dëshirojë.

Edhe shpërblimi i madh i Allahut është një dhuratë që Ai ia jep kujt të dëshirojë. Këto janë nga mirësitë më të mëdha të Allahut mbi robërit e Tij. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha. Atë askush nuk mund ta lavdërojë ashtu siç e meriton. Ai qoftë i lavdëruar ashtu si e ka lavdëruar vetë Veten e Tij! Allahu qëndron shumë më lart sesa lavdërimet që i bëjnë robërit e Tij.