– ”Nga argumentet e Tij është që, Ai krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato dhe bëri që mes jush të ketë dashuri dhe mëshirë.” – Nga shenjat madhështore që i dëshmojmë në këtë jetë dhe që tregojnë mëshirën e Tij, përkujdesin e madh për krijesat, urtësinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe diturinë e Tij madhështore është edhe fakti që Ai: “… krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj …”, të tilla që ju përshtaten juve dhe ju u përshtateni atyre. Ai ju ka bërë për njëri-tjetrin dhe vendosi ngjashmëri mes jush në aspekte të shumta. Me diturinë, urtësinë e mëshirën e Tij, Ai i bëri këto gjëra që: “… të gjeni prehje tek ato dhe bëri që mes jush të ketë dashuri dhe mëshirë.”
Ai bëri të mundur që ju të gjeni prehje, qetësi, dashuri e mëshirë tek njëri tjetri, që përmbushen gjatë martesës suaj. Ai ju dhuron kënaqësi trupore e shpirtërore, por edhe shumë dobi e përjetime të mrekullueshme kur ju dhuron fëmijë. Në këtë mënyrë, mes jush forcohet dashuria e mëshira dhe ju merrni përsipër përgjegjësitë e familjes. Shtëpia juaj bashkëshortore është vendi i qetësisë dhe prehjes suaj mes gruas dhe fëmijëve, që i doni dhe ju duan. Njeriu nuk e gjen diku tjetër dashurinë, prehjen e mëshirën që gjen në familjen e tij.
– ”Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” – Ata vënë në përdorim mendjen e tyre, për të medituar në shenjat e argumentet e Allahut në krijimin e Tij. Nëse mediton në çdo fazë të jetës së njeriut, e sheh përkujdesin e vazhdueshëm të Zotit në çdo çast të jetës.