Select Page

– “Ne i mëshirojmë njerëzit pas së keqes që i godet. Mirë po, ja, ata përsëri bëjnë kurthe kundër argumenteve Tona.” – Allahu i Lartësuar, me mëshirën e Tij, bëri të mundur që njerëzit të përjetojnë mirësi pas vështirësive e vuajtjeve, shëndetin e mirë pas sëmundjeve, pasurinë pas varfërisë, sigurinë pas frikës etj. Por edhe pse sapo kanë kaluar vuajtje e dhimbje, ata harrojnë çfarë ka ndodhur dhe nuk e falënderojnë Zotin për mirësinë e dhuruar dhe mëshirën e Tij, por vazhdojnë me intrigat dhe shfrenimin e tyre.

Prandaj i Madhëruari thotë: “ata përsëri bëjnë kurthe kundër argumenteve Tona”.  Ata luftojnë në emër të së kotës dhe devijimit, duke dashur që të mbulojnë të vërtetën dhe udhëzimin e Zotit. Por i Madhëruari thotë:

– “Thuaj: “Allahu është më i shpejti në thurjen e planeve (kundër mohuesve)”. S’ka dyshim, të dërguarit Tanë (melekët) regjistrojnë gjithçka që thurni ju.” – Intrigat dhe kurthet e padrejta godasin veçse thurësit e tyre. Qëllimet e tyre të zeza u kthehen pas koke. Ata nuk kanë për të shpëtuar dhe do të merren në përgjegjësi për çdo ligësi që kanë shkaktuar. Melekët e Zotit shënojnë çdo gjë që ata bëjnë dhe Allahu i ruan ato shënime, e pastaj do t’u japë ndëshkimin më të plotë dhe të merituar.