– “Mos, vallë, i gjejnë në tokë zotat që mund të ringjallin?” – Allahu i Madhëruar na qartësoi në ajetet më sipër madhështinë e Tij dhe të pushtetit të Tij gjithëpërfshirës, pasi çdo gjë i është nënshtruar Atij. Në vijim, i Madhëruari i qorton idhujtarët, të cilët kanë marrë si zota idhuj nga krijesat, që janë tërësisht të pafuqishëm dhe pa asnjë kapacitet.
Ata nuk kanë fuqi të ringjallin krijesat dhe t’i tubojnë për të dhënë llogari. Këtë e shpjegon më shumë fjala e Allahut të Madhëruar: “Ata (idhujtarët), në vend të Tij adhurojnë zota të tjerë, të cilët nuk kanë krijuar asgjë, sepse ata edhe vetë janë të krijuar. Ata nuk kanë mundësi t’i bëjnë vetes as mirë e as keq. Ata nuk kanë në dorë as vdekjen, as jetën e as ringjallje.” [Furkan 3].
Idhujtari adhuron krijesën, e cila as nuk sjell ndonjë dobi e as dëm. Ai nuk është i sinqertë në adhurimin e Allahut, të Cilit i takon çdo atribut i plotë dhe në dorën e të Cilit është çdo çështje. Dobia dhe dëmi janë në dorë të Allahut. Sigurisht, kjo tregon se Zoti i Urtë dhe i Gjithëditur nuk ia ka bërë mbarë idhujtarit që të gjejë udhën e drejtë, sepse ai e lë veten në padituri dhe e refuzon diturinë që i ofron Zoti. Ai zhytet në padrejtësi dhe mosbindje ndaj Zotit. Këtë gjithësi e rregullon veçse një Zot i vetëm, ashtu sikurse edhe u krijua nga një Zot i vetëm.