– “Ata (idhujt) janë të vdekur, jo të gjallë dhe as që e dinë se kur do të ringjallen (krijesat).” – Ata nuk dëgjojnë, nuk shohin dhe as logjikojnë. Atëherë, si mund të konsiderohen zota, që t’u përkushtohesh me adhurime si Zotit të botëve?! Mallkuar qofshin ato mendje idhujtarësh, sa të humbur dhe të prishur janë! Si mund të gabojnë në një çështje kaq të dukshme e lehtësisht të kuptueshme?! A nuk e kuptojnë kotësinë e idhujtarisë së tyre?!
Si mund të barazojnë atë që është i mangët në çdo aspekt e nuk ka asnjë cilësi përsosmërie e as një vepër madhështore, me Atë që është Absolut në çdo aspekt. Allahu është i përshkruar vetëm me cilësi të plota. Dituria e Tij përfshin gjithçka, pushteti i Tij është i pakufishëm dhe mbi gjithçka, Mëshira e Tij është e gjerë dhe ka mbushur gjithë botët.
Po kështu, lavdërimet, madhështia, krenaria e Tij dhe lartësia e Tij janë të pafundme. Asnjë krijesë nuk mund t’i afrohet qoftë edhe një cilësie të Tij, prandaj Allahu është dhe duhet të jetë i vetmi i adhuruar. Ai thotë: