– “Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu, Zoti yt thotë: “Kjo është e lehtë për Mua”…” – Kjo tregon për kujdesin absolut të Allahut të Madhëruar për atë adhuruese të sinqertë. Kjo tregon se të gjitha shkaqet mund të sjellin pasoja veçse me lejen e Zotit dhe nuk mund të jenë të pavarura nga vullneti dhe leja e Zotit. Çdo shkak e sjell pasojën veçse me caktimin dhe lejimin e Zotit. Kështu, Allahu, kur dëshiron, u mundëson krijesave të shohin ndonjë thyerje të ligjeve shkak-pasojë, që ata të mos i lidhin zemrat me shkaqet dhe të harrojnë Atë që i përcakton edhe shkaqet, edhe pasojat.
– “… dhe ta bëjmë atë (djalin e krijuar pa baba) Shenjë për njerëzit dhe Mëshirë nga Ne.” – Ky fëmijë do të jetë mëshirë e dhuruar nga Zoti për nënën e tij dhe për të gjithë njerëzimin. Megjithatë, edhe vetë fëmijën Zoti do ta mëshirojë. Mëshira e madhe e Zotit për Isain do të shfaqej në Shpalljen që do t’i dhuronte atij, duke e bërë një ndër pesë profetët më të spikatur.
Ndërsa mëshira për nënën e tij do të shfaqej në lëvdatat dhe famën e saj të madhe ndër njerëz, si dhe në modelin e përkryer të gruas së devotshme ndaj Zotit, që ajo ofroi. Ajo do të jetë gjithmonë shembulli më i mirë i grave të botës që adhurojnë Zotin. Ndërsa mëshira për njerëzimin shfaqet në faktin se dërgimi i profetëve është mirësia më e madhe që Zoti jep. Isai (a.s.) u dërgua mes njerëzve si profet, që t’u përcillte fjalët e Zotit, t’i pastronte e nderonte ata dhe t’u mësonte Librin dhe urtësinë. Nëse ata do ta besonin e do t’i bindeshin, atëherë do t’u jepej lumturia në të dyja jetët.
– Kjo është punë e mbaruar.” – Isai ishte një vendim i Zotit, që duhej të realizohej dhe të dilte në jetë. Tashmë kishte ardhur koha që ky vendim të realizohej, prandaj Xhibrili (a.s) i fryu Merjemes në hapësirën e këmishës së saj në kraharor.