Select Page

– “A nuk shëtisin ata nëpër botë e të shohin se si ka qenë përfundimi i popujve të shkuar? Ata kanë qenë edhe më të fuqishëm dhe kanë lënë më shumë gjurmë në tokë; …” – Kuptimi: Pse nuk lëvizni nëpër botë, me trup e me mendje, për të parë se ç’ka ndodhur me popujt e mëparshëm, me qëllim që kjo t’ju ndihmojë të merrni mësime e përvojë? Pse nuk meditoni rreth ngjarjeve historike? A nuk e keni mësuar se si ishte përfundimi i shumë popujve pararendës, që e mohuan dhe e injoruan të vërtetën?

Atyre iu dhanë ndëshkimet më të rënda e më poshtërueset. Në vendet e tyre do të gjeni gjurmët e ndëshkimit, poshtërimit e të përfundimit të turpshëm, edhe pse ata ishin më të fortë në fuqi, pushtet e ushtri e më të mëdhenj në trup se ju që kundërshtoni tani. Madje, ata lanë gjurmë dhe patën famë më të madhe në tokë se ju. Vendbanimet madhështore të tyre dëshmojnë për fuqinë e banorëve dhe të ndërtuesve që i ngritën ato, për pushtetin e për zhvillimin e lartë të tyre, me ndikim të gjerë në botë. Por pavarësisht nga kjo:

– “… por përsëri Allahu i dënoi për shkak të gjynaheve të tyre. Ata nuk patën askënd që t’i mbronte prej dënimit të Allahut. Kjo ndodhi sepse, kur profetët u shkonin atyre me Argumente të qarta, ata i mohonin ato. Allahu i ndëshkoi ata. Ai është i Fuqishëm dhe ndëshkon rreptë.” – Pra, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi, sepse ata vazhdonin me gjynahe pa u ndalur dhe pa u penduar. Allahu është më i Forti dhe ka ndëshkim të ashpër. Atyre nuk u vleu aspak fuqia e pushteti i tyre përballë pushtetit dhe fuqisë së të Madhëruarit. Madje, edhe kur një ndër popujt më të mëdhenj e të fuqishëm tha: “Kush është më i fortë se ne?”, Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre një furtunë të fuqishme, e cila i shkatërroi tërësisht. Pastaj i Madhëruari përmend një shembull, që tregon gjendjen e mohuesve të profetëve, si Faraoni e ushtritë e tij.