– “A nuk e sheh ti se si e lëshon Allahu ujin nga qielli dhe e shpërndan atë në tokë me burime?“ – Allahu i Lartësuar i kujton të mençurit dhe të urtët që të meditojnë për shiun, që bie nga qielli dhe pastaj Ai e bën që të rrjedhë nëpër tokë, në lumenj, përrenj, burime e puse, nga ku nxirret me lehtësi prej njerëzve, për ta përdorur për nevojat e tyre.
– “Pastaj, Ai bën që të rriten me të bimë të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme. Pastaj ato thahen dhe ti i sheh ato që zverdhen dhe më pas coptohen (e grimcohen).“ – Prej tij ujiten dhe dalin drithërat e ndryshme, si gruri, misri, tërshëra, elbi e orizi etj., frutat dhe bimët ushqyese. Pasi piqen ose u bie ndonjë sëmundje, bimët thahen, zverdhen dhe copëtohen.
– “S’ka dyshim se në këtë ka argument për njerëzit e ditur.“ – Duke medituar në të tilla ajete, të mençurit kuptojnë kujdesin e madh të Allahut dhe mëshirën e Tij për robërit, duke ua lehtësuar marrjen e ujit dhe duke ua ruajtur në tokë, që të mund të përmbushin nevojat e tyre kur të dëshirojnë. Gjithashtu, ata shohin edhe pushtetin e Tij të plotë dhe të pacenueshëm dhe janë të bindur se Ai do t’i ringjallë të vdekurit, ashtu siç e ringjall tokën e vdekur dhe të shkretuar.
Duke medituar në të gjitha këto çështje ata binden edhe më shumë se Ai që i bën të gjitha këto mirësi dhe ka këtë pushtet, Ai dhe vetëm Ai duhet të adhurohet me dashuri dhe duke iu nënshtruar ligjit të Tij. O Zot! Na bëj nga të mençurit dhe të urtët, të cilët i ke lëvduar duke i përmendur dhe i udhëzove duke ua ndriçuar mendjen dhe shpirtin! Ti u zbulove atyre shumë nga të fshehtat e Librit dhe i bëre që të shohin qartë shenjat e Tua të mrekullueshme, të cilat askush tjetër nuk i sheh dhe kupton. Ti je Dhuruesi i Madh i çdo mirësie!