Select Page

– “E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, por me një kujtim edhe më të fortë!” – Arabët e kishin zakon që, pas përfundimit të haxhit, të tuboheshin dhe të kujtonin bëmat e të parëve të tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që të kujtonin mirësitë e Tij ndaj tyre më shumë sesa bëmat e të parëve të tyre.

– “Ka njerëz që thonë: “O Zoti ynë! Na jep në këtë botë!” Për të këtillët nuk ka pjesë në botën tjetër.” – Ka njerëz që i kërkojnë Allahut vetëm ato gjëra që lidhen me dynjanë. Ata kërkojnë gjithçka që ua kërkon epshi i tyre i shfrenuar. Ata kanë si pikësynim veçse plotësimin e dëshirave të kësaj jete të shkurtër dhe nuk mendojnë aspak për ahiretin. Për këtë arsye, ata nuk do të kenë pjesë në ahiret.