– Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi!” – Udhëtoni me trup dhe me shpirt. Dhe shikoni se si filloi krijimi. Ju do të zbuloni se kështu është jeta. Popullata njerëzish e kafshësh, që vijnë e ikin nga kjo botë; ata dalin në këtë jetë, rriten dalë ngadalë, dhe pastaj zhduken. Shiko se si edhe bimët dalin e zhduken e kjo përsëritet e përsëritet. Po kështu formohen retë, fryjnë erërat e ndodh çdo gjë në këtë dynja; ndodhin dhe rindodhin në mënyrë të vazhdueshme. Çdo gjë fillon jetën, vazhdon, vdes dhe rifillon nga e para. Madje, mjafton të shohësh gjumin ose “vdekjen e vogël”.
Nata i mbulon të gjithë, në errësirën e saj dhe ata bien në qetësi, reshtin lëvizjet, shuhen zërat dhe i sheh në strehët dhe shtretërit e tyre si të vdekur. Kështu vazhdojnë për gjithë natën, derisa çel agimi, kur ata përmenden nga ajo qetësi dhe ringjallen nga vdekja e tyre (e vogël), duke thënë: “El ĥamdu lil-lâhil-ledhi aĥjânâ ba’de mâ emâtenâ ue ilejhin-nushûr! – I gjithë lavdërimi i qoftë Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdisnim, dhe vetëm tek ai do të tubohemi”. Duke na udhëzuar të shohim rifillimin e krijimit në këtë dynja kohë pas kohe, Allahu na sjell argument për pushtetin e Tij për të ringjallur krijesat Ditën e Gjykimit, prandaj thotë:
– ”Kështu do ta bëjë Allahu krijimin tjetër (Ditën e Ringjalljes).” – Atë ditë, Ai do të na ringjallë për herë të fundit, se nuk ka më vdekje ose gjumë më pas, por do të ketë përjetësi në Xhenet ose në Xhehenem.
– ”Allahu ka fuqi për çdo gjë.” – Asgjë nuk mund t’i shpëtojë dhe fshihet pushtetit të Tij. Ashtu siç është i Plotpushtetshëm që e filloi krijimin, po ashtu edhe rikthimi është nën pushtetin e Tij, madje kjo është edhe më e thjeshtë.