Select Page

Sepse nëse ata (të qytetit) vijnë te ju, do t’ju vrasin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar.” – Ata ishin mes dy kërcënimeve: ose të ekzekutoheshin duke u goditur me gurë nga populli i tyre, dhe kjo do të ishte një vdekje e dhimbshme, ose të ktheheshin në idhujtari, dhe kështu të shkatërronin këtë botë dhe fenë e tyre. Nga këto ajete nxjerrim mësime të shumta, disa prej të cilave janë:

– Nxitja për kërkimin e diturisë dhe hulumtimin e saj, sepse Allahu i rizgjoi ata për të pyetur e hulumtuar për çështje që u interesonin.

– Është prej edukatës që, nëse nuk di diçka, t’ua lesh në dorë të diturve dhe të mos e kalosh cakun.

– Lejohet të ngarkosh dikë (el uekale) për kryerjen e shitblerjes, ashtu siç lejohet edhe pjesëmarrja kolektive (el sherikeh) në të.

– Lejohet zgjedhja e ushqimeve më të shijshme dhe më të mira, por me kusht që të mos teprohet e shpërdorohet. Në ajet thuhet: “Dërgojeni njërin prej jush me këtë monedhë argjendi në qytet, që të zgjedhë ushqimin më të mirë dhe t’jua sjellë juve.” Ky lejim është edhe më i fortë nëse bëhet fjalë për dikë që mund të hajë veçse të tillë ushqim të zgjedhur dhe të shijshëm.

Me sa duket, në këtë ajet janë bazuar shumë mufesirinë, që janë të mendimit se ata të rinj ishin bij mbretërish e pasanikësh, pasi ata urdhëruan që t’u sillnin ushqimin më të mirë dhe më të shijshëm. Atëherë, ishte në zakonin e të pasurve që ta zgjidhnin ushqimin.

– Nxitja për t’u fshehur dhe për t’u mbrojtur nga çdo sprovë që të dëmton në fenë tënde. Lejimi i fshehjes së besimit për veten dhe vëllezërit, në rastet kur përbën rrezik për jetën dhe besimin.

– Dashuria dhe prirja e fortë e këtyre djemve për fenë e Zotit dhe besimin e pastër. Ata braktisën gjithçka vetëm e vetëm për ta ruajtur të pacenuar besimin e tyre.

– Analiza e dëmeve që sjell e keqja dhe mosbesimi është shumë e rëndësishme. Ajo bën që e keqja dhe mosbesimi të urrehen dhe të shihen ashtu siç janë në realitet. Analiza e së keqes dhe mosbesimit dhe vënia në dukje e ligësive dhe dëmeve që ato sjellin është nga punët më të mira, që e kanë bërë besimtarët më të hershëm dhe të mëvonshëm. Kështu vepruan ata të rinj kur thanë: “Nëse ata kuptojnë për ju, do t’ju vrasin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë nuk keni për të shpëtuar kurrë.” [Kehf 20].