Select Page

– “Ne edhe para teje çuam të dërguar, por edhe ata ishin njerëz që hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje.“ – Ata më përpara thoshin: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar apo të kishte një kopsht, nga i cili të hante?! Të padrejtët thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur.” [Furkan 7, 8].

I Madhëruari nuk i ka bërë profetët të tillë që të mos hanë ushqim dhe nuk i ka bërë ata melekë.  Edhe ti, o Muhamed, je si të gjithë profetët para teje. Ndërsa për sa i përket varfërisë dhe pasurisë, ata janë sprovë për njerëzit dhe është urtësia e Zotit që vendos për të, siç thotë i Madhëruari:

– “Ne ju bëmë të jeni sprovë për njëri-tjetrin: …“ – Kështu, profetët ishin sprovë për ata ku dërgoheshin. Ata nxirrnin në pah të bindurit nga të pabindurit. Nga ana tjetër, profetët vetë, Zoti i sprovoi duke i urdhëruar që të ftojnë krijesat në rrugën e drejtë. I pasuri është sprovë për të varfërin dhe i varfëri është sprovë për të pasurin. Në këtë mënyrë, sprovohen të gjitha krijesat me njëra tjetrën. Kjo botë është vendi i sprovës dhe belave. Qëllimi i të gjitha këtyre sprovave është që të duket shkalla e durimit. Ai thotë:

– “… A do të jeni të durueshëm?“ – A do të jeni të durueshëm e këmbëngulës dhe të plotësoni me përkushtim e përpikmëri detyrat tuaja, që Zoti ju ka ngarkuar, dhe kështu Ai t’ju shpërblejë? Apo nuk do të bëni durim, dhe kështu të meritoni ndëshkimin?

– “Allahu është Ai që sheh çdo gjë.“ – Ai i di mirë çdo gjendje tuajën, prandaj dhe Ai zgjedh dhe i dallon ata të cilët e meritojnë dhe janë të duhurit për të mbartur Shpalljen e Tij. Ai i di mirë edhe veprat tuaja dhe ka për t’ju shpërblyer për to. Nëse keni bërë vepra të mira, do t’ju shpërblejë me të mira, e nëse keni bërë të liga, ato do të merrni si dënim.