– “Ditën, kur ata që nuk besuan (në Zotin) do të sillen para Zjarrit, do t’u thuhet: …” – Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e jobesimtarëve kur ata të përballen me Zjarrin. Në këtë moment, atyre u thuhen disa fjalë dëshpëruese, që ua shtojnë më shumë dhimbjet dhe vuajtjet:
– “Ju i shfrytëzuat të gjitha të mirat në jetën tuaj tokësore dhe u kënaqët me to …” – Ju kërkuat prehjen në jetën e dynjasë. Ju u mashtruat nga kënaqësitë e saj. Ju parapëlqyet plotësimin e qejfeve në dynja, kundrejt kënaqësive të përjetshme të ahiretit. Rendja pas atyre kënaqësive të përkohshme ju shpërqend-roi nga veprat me të cilat fitohej lumturia e ahiretit. Ju u zbavitët të hutuar në dynja, ashtu si bagëtitë, të pashqetësuar për fundin tuaj në ahiret. Atëherë, në atë dynja mbaruan kënaqësitë tuaja.
– “… Por sot do të shpaguheni me një dënim poshtërues …” – Këtë ndëshkim poshtërues do ta vuani për krimin tuaj të shpifjes ndaj Allahut të Madhëruar. Ju mashtronit dhe pretendonit se rruga juaj e humbur ishte e vërteta nga Allahu, ishte gjykimi, caktimi dhe vullneti i Tij. Me të tilla pretendime, ju thjesht donit të justifikonit rrugën e humbjes, të cilën e parapëlqyet vetë, edhe pse ishit të vetëdijshëm për faktin se po mashtronit. Ndëshkimi poshtërues është i merituar për ju edhe për një shkak tjetër:
– “… për shkak se jeni treguar kryeneçë në Tokë pa kurrfarë të drejtë dhe për shkak se nuk keni respektuar urdhrat e Zotit!”.” – Ju tregoheshit mendjemëdhenj para bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut. Siç shihet, njerëz të tillë bëjnë dy krime njëkohësisht: ata flasin të pavërteta dhe punojnë sipas tyre. Ata shpifin ndaj të vërtetës, duke ia mveshur këto shpifje Allahut, dhe tregohen arrogantë, duke e refuzuar këtë të vërtetë. Për këtë arsye, ata meritojnë ndëshkimin më të rëndë.