Select Page

– “Ata thonë: “Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i adhuronim ata!”” -Ata justifikohen për adhurimin e melekëve, duke pretenduar se kjo ishte dëshira e Zotit. Ky është një justifikim që idhujtarët e përdorin gjithmonë për krimin e idhujtarisë dhe për gjynahet që kryejnë. Por ky argumentim është i kotë, i pavlefshëm dhe i padrejtë. Ai është i papranueshëm si në aspektin logjik, ashtu edhe në atë fetar.

Asnjë njeri me mend nuk e pranon justifikimin me vullnetin e Zotit. Nëse do të vepronin në të njëjtën mënyrë në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kjo do të ishte e papranueshme. Për shembull, nëse dikush që ka shkelur të drejtën tënde do të justifikohej se ndodhi ashtu, pasi i tillë ishte vullneti i Zotit, për ty sigurisht që do të ishte justifikim i papranueshëm.

Edhe në aspektin fetar, ky justifikim është i papranueshëm dhe jo i drejtë. Madje, Allahu i Madhëruar nuk ka përmendur ndonjë grupacion tjetër që ta ketë përdorur si justifikim, përveç idhujtarëve dhe mohuesve të profetëve. Allahu i Madhëruar e ka zhvleftësuar justifikimin e tyre me faktet dhe argumentet e qarta që ka sjellë nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve. Pas profetëve dhe shpalljeve hyjnore, asnjë njeri nuk ka më justifikim. Pastaj i Madhëruari thotë:

– “Por ata nuk kanë ndonjë provë për këtë. Ata, në të vërtetë, vetëm gënjejnë.” – Ata thjesht hamendësojnë, pa ditur se çfarë flasin e çfarë synojnë.