Select Page

– “Ata të cilëve Ne u dhamë Librin, e njohin atë (Muhammedin) siç njohin bijtë e tyre. – Domethënë, ata e njohin vërtetësinë e teuhidit ashtu sikurse njohin djemtë e tyre. Ashtu sikundër nuk kanë dyshime në njohjen e anëtarëve të familjes së tyre, në mënyrë të veçantë të djemve, që gjithmonë i kanë pranë, ashtu janë të sigurt edhe për faktin se i vetmi që meriton adhurimin është Zoti një dhe i pashoq.

Ka shumë mundësi që këtu të flitet për sigurinë e tyre rreth vërtetësisë së Muhamedit (a.s)si Profet i Zotit dhe të Shpalljes që ai solli. Ata kanë siguri të plotë për këtë fakt, ashtu sikurse kanë siguri për njohjen e fëmijëve të tyre. Gjithsesi, të dyja kuptimet përmbajnë njëra-tjetrën dhe janë të pranueshme.

– “Këta janë ata të cilët kanë shkatërruar vetveten, prandaj nuk besojnë.” – Ata e kanë privuar veten nga qëllimi për të cilin janë krijuar, pra, për njësimin e Allahut me adhurim, nënshtrim e madhërim dhe, në këtë mënyrë, u privuan nga shpërblimi dhe bujaria e Mbretit të Madhërishëm dhe Bamirës. Ata nuk besojnë, prandaj kur kjo është cilësia e tyre, atëherë mos pyet se sa e madhe është humbja, dëshpërimi dhe ndëshkimi që do t’i kaplojë.