– ”Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga Mëshira e Tij, askush nuk mund ta pengojë e atë (mirësi) që Ai e ndal, askush përveç Tij nuk mund ta japë; …” – Çdo gjë që Ai e dëshiron mund ta realizojë dhe askush nuk mund ta pengojë Atë. Nga këto çështje janë edhe shtesat dhe ndryshimet që Ai bën në disa nga krijesat e Tij. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për faktin se Ai është i vetmi që përkujdeset dhe rregullon çështjet e krijesave, që jep dhe privon, ashtu siç e kërkon urtësia e Tij. Ai thotë:
– ”Ai është Ngadhënjimtari, i Gjithëdituri.” –Kjo është një nxitje për ta lidhur zemrën veçse me Allahun e Madhëruar dhe që t’i shprehësh Atij varfërinë dhe nevojën e madhe, në të gjitha aspektet. Vetëm Atij t’i përgjërohesh dhe t’i lutesh dhe vetëm Atij t’i frikësohesh dhe tek Ai të shpresosh. Ai është Ngadhënjimtari i Plotfuqishëm, që ka nënshtruar çdo krijesë. Ai është i Urti, që çdo gjë e vendos në vendin e vet dhe i jep atë që meriton.